Balla pas takimit me Abdixhikun: Koha që BE-ja të marrë vendim për vizat
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e ka pritur në vizitë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Balla pati fjalë të mira për LDK-në, ndërsa ka thënë se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë do të vazhdojë edhe më tutje në qëllimet e përbashkëta të integrimit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është partia më e vjetër në Kosovë. Një parti që gjatë gjithë këtyre viteve ka bartur ,mbi vete përgjegjësi të rëndësishme te qeverisjes së vendit , të transformimit të Kosovës, por natyrshëm edhe to orientimit euro-atlantik të Kosovës”.
“Ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet në dobi të interesit të përbashkët duke mos harruar për asnjë moment që Shqipëria dhe Kosova janë dy vende fqinje, por po ashtu që Shqipëria e mbështet gjithmonë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Balla.
Balla e ka përmendur rastin e mosliberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian, duke thënë se është koha e duhur që BE-ja të marrë vendim për këtë çështje.
“Është momenti që sot të flasim për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO, dhe natyrshëm të mos e harrojmë edhe humbjen e besimit te Bashkimi Evropian, dhe të kredibilitetit të Bashkimit Evropian kur bie fjala për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
“Është e pashpjegueshme që Kosova prej më se katër vjetësh i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ndërkohë ky mur i vizave vazhdon të jetë vetëm për qytetaret e Kosovës”.
“Kështu, në këtë këndvështrim, BE-ja është në kohën e duhur për të marrë një vendim për këtë çështje dhe ndërkohë që rruga e integrimeve euroatlantike e Kosovës duhet të vazhdojë, LDK-ja e ka rolin e saj të pazëvendësueshëm në këtë proces”, ka thënë Balla.



