Ballkani fillon stërvitjet
Skuadra e Ballkanit ka përfunduar pushimet dhe është rikthyer të premten në stërvitje.
Futbollistët kampionë të udhëhequr nga trajneri Ilir Daja kanë filluar mbushjen e “baterive” për pjesëmarrjen në garat evropiane, por edhe për edicionin e ri ku synim kanë mbrojtjen e titullit. “Ekipi i është rikthyer fushës së blertë dhe ka nisur zyrtarisht përgatitjet për garat evropiane. Me ndryshime të pakta skuadra ka kryer stërvitjet nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Besimi në skuadër dhe klub tani është edhe më i madh si kampionë. Të gjithë së bashku do të arrijmë gjëra të mëdha!”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Klubi nga Suhareka është përforcuar edhe me futbollistin e dëshmuar Leonit Abazi, i cili ka qenë pjesë e Prishtinës dhe karrierë të suksesshme ka bërë edhe në futbollin e Shqipërisë. “Leonit Abazi e forcoi krahun e majtë të ekipit tonë. Nga sot do të vishet portokalli. Ai do të jetë pjesë e klubit për tri vitet e ardhshme. Abazi ka një karrierë të bujshme, duke qenë pjesë e skuadrave të mëdha në Superiore dhe në Superligë, i cili në edicionin e kaluar ishte te Prishtina. Më parë Abazi ka mbrojtur edhe ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë. Na priftë e mbara, Leonit! Bashkë drejt shumë sukseseve të mëdha!”, thuhet në njoftimin e klubit kampion.
Klubi i Ballkanit ka vazhduar marrëveshjen e bashkëpunimit edhe për dy vjet të tjera me portierin Damir Ljuljaniviq. Kontratën me skuadrën kampione e ka vazhduar edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi dhe qendërmbrojtësi Bajram Jashanica. Deri tash nga ky klub është larguar vetëm mesfushori me tipare sulmuese Blend Baftiu.
/Veton ZYMBERI/



