Ballkani synon kualifikimin në fazën e grupeve

25 gusht 2022 | 11:07

Skuadra e Ballkanit është e motivuar për ta shkruar historinë e sportit të Kosovës, duke u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kampionët e Kosovës e kanë kryer gjysmën e punës pasi e kanë fituar ndeshjen e parë të zhvilluar me Shkupin me rezultat 1-2, ndërsa sonte i mjafton barazimi. Ndeshja Ballkani – Shkupi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00. 

Skuadra e Ballkanit po synon t’i vazhdojë sukseset në arenën ndërkombëtare duke siguruar fazën e grupeve në Ligën e Konferencës që do të ishte sukses historik jo vetëm për skuadrën nga Suhareka, por edhe për mbarë futbollin e Kosovës.

Klubi që shkroi historinë në futbollin vendor, duke e fituar për herë të parë titullin e kampionit, ka arritur të kualifikohet deri në fazën e “play-off”-it, madje e ka fituar edhe ndeshjen e parë kundër FC Shkupi si mysafir (1-2) dhe tash i mjafton një barazim në ndeshjen kthyese për ta siguruar kualifikimin historik.

Trajneri Ilir Daja, i cili po i prin me mjaft sukses Ballkanit, ka thënë se klubi që ai e drejton duhet të jetë i koncentruar në ndeshjen kthyese që zhvillohet sonte (e enjte) në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Ne kemi bërë hap të mirë në udhëtim. Shkupi është ekip i mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të koncentruar. Por edhe ne kemi kualitetet tona. Kemi ndeshje të vështirë. E rëndësishme është që është ndeshje mes ekipeve shqiptare. Duhet t’i presim si na pritën në Shkup. Do të bëjmë maksimumin për ta siguruar kualifikimin”, ka thënë Daja.

Skuadra e Ballkanit nëpërmjet faqes zyrtare ka kërkuar përkrahje për përballjen historike ndaj FC Shkupit “Të enjten me fillim nga ora 20:00 zhvillohet përballja historike kundër FC Shkupit. Na duhet përkrahja e të gjithë sportdashësve kosovarë pasi që me barazim apo fitore ne kualifikohemi tutje në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe shënojmë histori në futbollin kosovar duke qenë ekipi i parë që merr pjesë në këtë kompeticion”, thuhet në kërkesën e skuadrës kampione.

Të mërkurën Ballkani ka njoftuar se në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë mbetur edhe 1 000 vende të lira dhe biletat për ato vende do të shiten të enjten në Prishtinë te “New Born”. Edhe më madhështore pritet të jetë ndeshja në mes të Ballkanit dhe Shkupit, pasi pjesëmarrjen e kanë konfirmuar rreth 700 anëtarë të tifo-grupit “Shvercerat”. “Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të ketë më shumë se 700 shvercera. Shumë tjerë do të udhëtojnë edhe me vetura private. Jam i sigurt që do të kalojmë mirë. Ne po shkojmë në vendin tonë dhe aty jemi në shtëpi”, ka thënë Jusuf Ramadani, kryetar i tifogrupit.

 

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…