Ballkani synon ta mbyllë eksperiencën evropiane me fitore

03 nëntor 2022 | 10:47

Ballkani do të mundohet ta mbyllë me faqe të bardhë eksperiencën evropiane.

Kampioni kosovar do të zbresë sonte në fushën e blertë për ta zhvilluar ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Skuadra nga Suhareka do ta vizitojë ekipin CFR Cluj, në kuadër të xhiros së gjashtë të Grupit G.

Aktualisht, ekipi Portokalli është i fundit në tabelë me 4 pikë, prej tyre 1 fitore, 1 barazim e 3 humbje.

Edhe pse i kanë humbur gjasat për të shkuar tutje, therandasit do të mundohen të nxjerrin pikë në Rumani. Një fitore eventuale do të thoshte +500 mijë euro më shumë në konton e tyre.

Trajneri Ilir Daja ka kërkuar nga skuadra të bëjë paraqitje të mirë, si në ndeshjet e kaluara.

Ai e ka vlerësuar lartë kundërshtarin, por shpreson që Ballkani ta mbyllë këtë eksperiencë të jashtëzakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë pasi luajmë me Cluj, ekip që po e synon avancimin tutje. Po ashtu edhe për ne, është ndeshja e fundit dhe duhet ta bëjmë një paraqitje të mirë siç kemi bërë deri tash. Cluj nuk do ta ketë aspak të lehtë me ne edhe pse i nevojitet patjetër fitorja. Nuk kemi pretendime, por jemi maksimalisht të motivuar si në ndeshjet e tjera për të luajtur mirë. Shpresojmë ta mbyllim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme për ta pasur si kujtim paraqitjen e parë në Evropë. Pres ta bëjmë një ndeshje të mirë për t’i kënaqur të gjithë dhe të jemi pjesë e spektaklit në fushë”, theksoi trajneri shqiptar.

Nga ana tjetër, Cluj e ka të domosdoshme fitoren për të avancuar tutje. Rumunët duan t’i mbajnë me çdo kusht pikët në shtëpi për të shkuar në fazën tjetër. Ndeshja ndërmjet Clujit dhe Ballkanit do të luhet sonte duke filluar nga ora 18:45.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të ciklit të ri debatues e diskutues “LDK…