Barcelona e konfirmon lëndimin e Yamalit: Do të rikthehet me kohë për Botëror
Barcelona e ka konfirmuar lëndimin e Lamine Yamalit, i cili u lëndua mbrëmë në ndeshje me Celta Vigon.
Ylli i ri spanjoll pësoi tërheqje muskulore pasi shënoi nga penalltia.
E sot super-talenti spanjoll iu nënshtrua kontrolleve mjekësore, të cilat e konstatuan tërheqjen muskulore, e cila do ta lë jashtë fushave të blerta për pjesën e mbetur të sezonit.
Por, lajmi i mirë është se Yamal do të rikthehet me kohë për Botërorin 2026, i cili do të nisë më 11 qershor.
“DEKLARATË MJEKËSORE. Testet e kryera kanë konfirmuar se lojtari i ekipit të parë, Lamine Yamal, e ka një dëmtim në biceps femoris të këmbës së majtë. Lojtari do ta ndjekë një plan trajtimi konservativ. Lamine Yamal do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit dhe pritet të jetë i gatshëm për Kupën e Botës”, njofton Barcelona.
Pra, Yamal pritet të mungojë rreth një muaj dhe do të jetë i gatshëm për Kombëtaren e Spanjës për garën që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.



