Bashkim historik: Shqiptarët në Mal të Zi krijojnë një subjekt të vetëm politik “Forumi Shqiptarë”
Lidhja demokratike e Shqiptarëve, Alternativa Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar sot janë bërë zyrtarisht një subjekt i vetëm politik – Forumi Shqiptar.
Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkim u bë sot në mbledhjen solemne të kryesive të këtyre partive, e cila u mbajt në Tuz.
Marrëveshjen e nënshkruan solemnisht lideri i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj, kryetari i Unionit Nacional Shqiptar Ferhat Dinosha dhe përfaqësuesi i Lidhjes demokratike të Shqiptarëve Ivan Ivanaj.
Me këtë është përmbyllur procesi i bashkimit formal të partive kryesore shqiptare në Mal të Zi në një subjekt të vetëm politik në nivel shtetëror.
Iniciativa bashkon Alternativën Shqiptare, Lidhjen demokratike të Shqiptarëve dhe Unionin Nacional Shqiptar, ndërsa pritet që lider të jetë zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj.
Ferhat Dinosha tha se është i gatshëm të bisedojë edhe me përfaqësues të partive të tjera që nuk ishin sot të pranishme për t’u përfshirë në subjektin e ri politik.
Nik Gjeloshaj tha se Forumi Shqiptar është një “brend” dhe theksoi se ai përfaqëson zërin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Siç njoftohet nga Forumi Shqiptar, me këtë akt të rëndësishëm është formalizuar uniteti politik i shqiptarëve në Mal të Zi.
“Me qëllim të forcimit të mëtejshëm të përfaqësimit politik, mbrojtjes së interesave kombëtare, ruajtjes dhe avancimit të identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës, kontributit më të fuqishëm në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të shoqërisë, sundimin e ligjit, integrimet evropiane dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se Forumi Shqiptar sot përfaqëson subjektin më të madh politik shqiptar në historinë moderne të parlamentarizmit në Mal të Zi.
“Bashkimi është rezultat i një vizioni të përbashkët dhe dëshmi se uniteti politik sjell rezultate konkrete, gjë që vërtetohet nga sukseset e arritura në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët, forcimi i përfaqësimit parlamentar dhe pjesëmarrja më e madhe e shqiptarëve në institucionet e sistemit”, thanë nga Forumi Shqiptar.
Sipas tyre, përmes veprimit të përbashkët janë krijuar kushte për zhvillim më të fortë të zonave ku jetojnë shqiptarët, përmirësim të infrastrukturës, hapje të vendeve të reja të punës, ruajtje të identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës, si dhe forcim të pozitës së përgjithshme shoqërore dhe politike të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Ky bashkim përfaqëson përgjigje ndaj kërkesave shumëvjeçare të qytetarëve dhe diasporës sonë, e cila për vite me radhë ka mbështetur fuqishëm idenë e unitetit politik si parakusht për afirmim më të fortë të interesave kombëtare dhe zhvillim më të balancuar të zonave ku jetojnë shqiptarët”, thuhet në deklaratë.
Shtohet se, në përputhje me Marrëveshjen e bashkimit, si lider i Forumit Shqiptar deri në mbajtjen e Kongresit konstitutiv është emëruar Nik Đeljošaj, i cili do të udhëheqë procesin e konsolidimit organizativ dhe politik të subjektit të unifikuar.
“Forumi Shqiptar do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, zhvillimi, integrimi dhe fuqizimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi, i bindur se përmes unitetit mund të arrihen rezultate më të mëdha dhe të ndërtohet një e ardhme më e fortë për komunitetin tonë”, thuhet në deklaratë.



