Bashkimin me Shqipërinë e pamundëson Kushtetuta e Kosovës dhe jo BE-ja

10 qershor 2019 | 16:12

Ismet Hajrullahu

Aspirata më e madhe kombit shqiptar ishte dhe mbetët bashkimi i shtetit shqiptar, ndërsa mosgatishmëria e klasës politike të Kosovës, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, është krejtësisht përgjegjësi e saj dhe aspak e BE-së.

Deklarata e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, që Kosova mund t’i bashkohet Shqipërisë, nuk është aspak provokuese, por është krejtësisht në përputhje me aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar dhe në përputhje me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë flet që në preambulën e saj “për aspiratën shekullore të popullit shqiptar, për identitetin dhe bashkimin kombëtar”.

Ndonëse në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, kjo deklaratë,  nga ana tjetër, është ne kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila e pamundëson një gjë të tillë e specifikuar në  Nenin 1 pika 3 te kushtetutës qe thotë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Për më keq, Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa 2/3 e deputetëve të pakicave, si dhe një sërë ligjesh të rëndësishme nuk mund të ndryshohen pa 1/2 e deputetëve të pakicave!

Nisur nga këto fakte thelbësore kushtetuese, lind pyetja, kush është kundër Bashkimit me Shqipërinë, Kushtetua e miratuar nga vetë të zgjedhurit e popullit të Kosovës, apo BE-ja?!

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se shqiptarët në dy anët e kufirit (e që edhe sot pa ndonjë ndryshim me të kaluarën, ngel një kufi i dhunshëm), u përpoqën pas Lidhjes së Prizrenit edhe pas Pavarësisë së shtetit shqiptar, në kushte shumë herë më të vështira, për bashkimin e Shqipërisë; populli shqiptar ne Kosove nëpërmjet organizatave politike ilegale të kohës, si dhe shteti i Shqipërisë, qe në vazhdimësi e ka shprehur dhe mbështetur domosdoshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ndonëse konjukturat e kohës dhe raporti i forcave nuk lejonin veprime më të dukshme.

Rikujtojmë këtu se Plani Sekret i vitit 1980, për çlirimin e Kosovës, nën emrin e koduar “Shpërthimi”. Edhe pse ky plan nuk u arrit të funksonalizohej, megjithatë është fakt  shumë domethënës, sepse është tepër i rëndësishëm në historinë e përpjekjeve të shtetit shqiptar për të bashkuar Shqipërinë.

Pavarësisht zërave  të shterur kundër bashkimit të Shqipërisë, zëra  që vijnë nga skutat me të errëta, aspirata më e madhe kombit shqiptar ishte dhe mbetët bashkimi i shtetit shqiptar, ndërsa mosgatishmëria e klasës politike të Kosovës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, është krejtësisht përgjegjësi e saj dhe aspak e BE-së.

Mosliberalizimi i vizave, nuk është tregues se Bashkimi Evropian është kundër bashkimit të Shqipërisë. Me liberalizimin e vizave dhe me anëtarësimin e Kosovës  në BE, nuk zgjidhet çështja shqiptare e as  problemet e mëdha sociale,ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Këtë e argumenton rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë që është një shembull se edhe pas kaq shumë vitesh anëtarësimi, ato ngelen dy shtetet më të pazhvilluara të BE-së.

Vullneti i anëtarësimit i Kosovës në Bashkimin Evropian, është i madh, por ky fakt nuk duhet të vë në pikëpyetje vullnetin e shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me një fjalë, nëse nuk kemi klleqe për të bashkuar shtetin në formën e bashkimit të Gjermanisë, pasi e ndalon edhe kushtetua dhe ndryshimin e saj e pamundësojnë 2/3 e deputetëve të pakicave Kosovës, atëherë mund të organizohet një referendum për të pyetur popullin se çfarë dëshiron:

  1. Të jetojë në dy shtete të ndryshme, Shqipëri dhe Kosovë; apo
  2. Të jetojë në një shtet të vetëm shqiptar.

Nëse BE-ja, është e interesuar që në Ballkan të ketë paqe, ajo arrihet vetëm duke baraspeshuar forcat shqiptare dhe ato serbe. Ky baraspeshim mund të arrihet vetëm nëse Kosova do i bashkohej Shqipërisë. Në të kundërt, Serbia si një shtet me mbështetjen e pakufishme të Rusisë ekspansioniste, do ta ndjejë veten superiore,  dhe si rrjedhojë stabiliteti  Ballkanit, por edhe ai i Bashkimit Evropian,  do të ngelin në mëshirën e Serbisë!

Përfundimisht, ashtu siç edhe dihet, shqiptarët janë ndër kontribuuesit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të civilizimit evropian; prandaj si të tillë, nuk e meritojnë të jenë një komb i ndarë në dy shtete, e për pasojë, të mbesin më të varfrit e Evropës.

(Ky shkrim është publikuar në vitin 2015 në disa nga mediat e shkruara në Kosovë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka zhvlerësuar dekretin e presidentit…