Basrie Murati-Sakiri merr pjesë në Festivalin e Librit dhe Letërsisë në Zürich

23 tetor 2019 | 11:04

Lulëzim ETEMAJ

Nga data 23-27 tetor 2019 mbahet në Zürich të Zvicrës Festivali i Librit dhe Letërsisë, “Zürich liest” (“Cyrihu lexon”). Ky festival është themeluar në vitin 2009 nga librarët dhe Shoqata e Botuesve e Zürichut, mbahet çdo vit dhe është festivali më i madh i letërsisë dhe librit në Zvicër.
Pjesë e programit pesëditor të larmishëm dhe shumë të pasur të këtij festivali, krahas shkrimtarëve të nominuar për Çmimin “SCHWEIZER BUCH PREIS 2019”, si Alain Claude Sulzer dhe Ivna Zhiç, si e ftuar speciale është edhe shkrimtarja shqiptare nga Kosova me banim në Zvicër, Basrie Murati-Sakiri.

“Unhaltbare Zustande” (“Rrethana të papërballueshme”), ky është titulli i romanit të shkrimtarit zviceran Alain Claude Sulzer, i cili para publikut do të paraqitet më datën 25 tetor 2019, duke filluar nga ora 20.00-21.30. Shkrimtarja kroate, Inva Zhiç, e lindur në Zagreb dhe rritur në Zürich, romani i së cilës mban titullin “DIE NACHKOMMENDE” (“Pasardhësi”), është në program për t’u lexuar për publikun më 26 tetor 2019, nga ora 19.30-21.00.
“Në mënyrë mbresëlënëse e përshkruan Basrie Murati-Sakiri në ditarin e saj dypjesësh se si është ta lësh prapa gjithë jetën tënde. Së bashku me vëllezërit e saj, shoqet dhe shokët, si 18-vjeçare, ajo luftonte për Kosovën Republikë. Kryengritja e tillë e detyroi atë të arratiset në vitin 1989 në Zvicër”. Kjo është një pjesë e shkëputur nga prezantimi që i bëhet librit të autores shqiptare Basrie Murati- Sakiri, “Bleibende Spuren – Mein Weg vom Kosovo in die Schweiz” (“Gjurmë të përhershme, rruga ime nga Kosova në Zvicër”), të botuar më 30 prill 2019 nga njëra prej shtëpive botuese më prestigjioze në Zvicër, “Rotpunktverlag”, në faqen zyrtare të internetit të Festivalit “Zürich liest”.

Sipas programit të festivalit, Basrie Murati-Sakiri do të lexojë pjesë të librit të vet për publikun e pranishëm ditën e diel, 27 tetor 2019, nga ora 17.00-18.00.
Autorja e librit është veprimtarja e dalluar kombëtare, ish-pjesëtare e “Çetës së Llapit”, e njohur si “Shqipja”. Libri i saj është duke bërë jehonë të madhe si te mediat e shumta zvicerane, po ashtu edhe te publiku, i cili që nga fillimi ka shprehur një interesim të shtuar për të, qoftë përmes pjesëmarrjes në prezantime, duke filluar nga prezantimi i parë, i mbajtur më 6 qershor në “MAXIM Theater”, në prezantimin që i është bërë nga Andrea Jost, krijuese teatri dhe moderatore në Radiotelevizionin e Zvicrës, SRF, në kuadër të Javës së Kulturës, “Rendez vous Balkan”, më 21 shtator 2019 në Bibliotekën e Effretikonit, atë të mbajtur në Bern, më 18 tetor 2019, apo forma të tjera.

Interesim të posaçëm për librin “Bleibende Spuren – Mein Weg vom Kosovo in die Schweiz” kanë treguar edhe bibliotekat e shumta të cilat kanë siguruar ekzemplarë të librit për lexuesit e tyre. Prezantimi i radhës i këtij libri, gjithsesi i veçantë për faktin se organizohet nga studentët shqiptarë, të organizuar në shoqatën e tyre “Studenti”, me seli në Zürich, do të mbahet ditën e enjte, 31 tetor 2019, në Universitetin e Zürichut, Rämistrasse 71, 8006 Zürich, nga ora 18.30- 21.00.
Të interesuarit librin “Bleibende Spuren” mund ta gjejnë ose porosisin në të gjitha libraritë, si në Zvicër ashtu edhe në Austri e Gjermani. Porosia mund të bëhet po ashtu edhe online, direkt te Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag” apo në libraritë e mëdha që kanë faqe interneti dhe e ofrojnë një shërbim të tillë për klientët e tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nicki Minaj është zyrtarisht një zonjë. Të hënën reperja 36-vjeçare…