Batatina: Zhdrella ka rinovuar, Namani nuk është larguar

04 qershor 2019 | 20:48

Trajneri Tahir Batatina ka konfirmuar për “Epokën e re” se katër herë lojtari më i mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella, ka rinovuar kontratën me Llapin, kurse Hamdi Namani ende nuk është larguar nga klubi.

Skuadra e Llapit ishte një nga skuadrat pretendente për titull të kampionit në IPKO Superligë, por në fund kampionatin e mbylli në pozitën e tretë.

Kjo skuadër edhe përkundër përfundimit të kampionatit nuk po rrinë duarkryq, pasi të premten ka njoftuar se e ka rinovuar kontratën me disa futbollistë të rëndësishëm, përfshirë edhe mesfushorin Mentor Zhdrella, i cili më pas e mohoi një gjë të tillë. Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” në lidhje me këtë çështje e kontaktoi trajnerin Tahir Batatina, i cili konfirmoi se marrëveshja me katër herë lojtarin më të mirë në Kosovës është një çështje tashmë e përfunduar.

“Mentori e ka vazhduar kontratën me Llapin. Arsyeja e emërimit kapiten është për shkak të përvojës së madhe që ka ky lojtar”, ka thënë Batatina.

Në “mjegull” vazhdon të jetë e ardhmja e mesfushorit Hamdi Namani, i cili deri në kampionatin e fundit ishte kapiten i Llapit. Trajneri Batatina e ka mohuar faktin se Zhdrella është emëruar kapiten, pasi Namani do të largohet nga Llapi. “Jo, nuk do të thotë se Namani do të largohet, pasi ne e kemi emëruar Zhdrellën kapiten të ri. Krejt çka është folur për Namanin janë vetëm llafe të kafeve dhe shkrime të portaleve për faktin se ende asgjë zyrtare nuk ka”, ka deklaruar Batatina.

Llapi ka arritur të rinovojë me Mentor Zhdrellën, Behar Maliqin, Benjamin Eminin dhe Bujar Idrizin, kurse transferimi i parë në këtë skuadër është sulmuesi Emran Ramadani. Ky i fundit është 27-vjeçar dhe ka luajtur për skuadrën e Renovës në Maqedoni. Ndërsa skuadra nga Podujeva ka njoftuar se kryesia e klubit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për renovimin e mëtutjeshëm të stadiumit dhe përgatitjes së fushës me intensitet të lartë për edicionin e ri të Superligës.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpooli ka konfirmuar largimin e dyshes Alberto Moreno dhe Daniel…