BE-ja dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen kornizë të partneritetit financiar

27 maj 2022 | 14:07

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ia ka dorëzuar të premten zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Marrëveshjen Kornizë të Partneritetit Financiar IPA III (FFPA) të miratuar nga Komisioni Evropian.

Bislimi  ka nënshkruar FFPA-në, e cila pasi të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës do t’i mundësojë Kosovës që të marrë ndihmë të mëtejshme teknike dhe financiare nga Bashkimi Evropian.

“Fondet e para anëtarësimit të BE-së ofrojnë një shtysë shumë të rëndësishme për të plotësuar progresin tonë të vazhdueshëm në reformat e lidhura me BE-në. Fondet IPA III do të përdoren për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe reformat e brendshme, si dhe për të mbështetur investimet e nevojshme për zbatimin e reformave brenda Agjendës së Reformës Evropiane, Strategjia Zhvillimore Kombëtare dhe strategjitë sektoriale me fokus punësimin e të rinjve, energjinë, mjedisin, rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ndër shumë fusha të tjera”, ka thënë Bislimi.

Marrëveshja në fjalë mbulon programet vjetore të IPA-s për periudhën 2021-2027 dhe do të mundësojë miratimin e menjëhershëm të fondeve të IPA 2021 për Kosovën në vlerë prej 64 milionë eurove.

Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Tomas Szunyog, ka thënë  kjo marrëveshje ka për qellim edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ne do të përdorim financimin e IPA III për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore, qeverisjen komunale dhe sigurinë publike në Kosovë”, tha ambasadori Szunyog.

Kosova ka filluar të përfitojë nga financimi IPA në vitin 2007. Që atëherë dhe deri në fund të vitit 2022, gjithsej 1.21 miliard euro i janë ndarë Kosovës përmes IPA I dhe IPA II.

BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Unë e di ndikimin që ka pasur lidhja ime tek…