BE-ja lanson programin për sundimin e ligjit në Kosovë

25 maj 2023 | 15:26

Bashkimi Evropian ka lansuar fillimin e “Programit të BE-së për Çështjet e Brendshme të Kosovës”, një iniciativë e rëndësishme që synon forcimin e përafrimit të sektorëve të punëve të brendshme të Kosovës me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Programi, i financuar nga BE-ja, do të zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme Italiane, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme Franceze dhe Policinë Federale të Belgjikës.

Duke filluar nga 1 marsi 2023, programi i BE-së për Punë të Brendshme në Kosovë do të zbatohet me një buxhet prej 6,5 milionë euro dhe kohëzgjatje prej 40 muajsh.

Objektivi kryesor i programit është të promovojë sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore në Kosovë duke lehtësuar ekipet e përbashkëta hetimore dhe duke rritur bashkëpunimin ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit. Projekti gjithashtu do të ofroj mbështetje operacionale, transferimin e aftësive dhe kompetencave për të përmirësuar efektivitetin e hetimeve në Kosovë.

“Ne jemi të kënaqur të lançojmë Programin e BE-së për Çështjet e Brendshme të Kosovës, i cili përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në mbështetjen tonë të vazhdueshme për Kosovën. Ky program do të luaj një rol jetik në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit dhe promovimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Johannes Madsen, shefi i bashkëpunimit të BE-së në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia në Kosovë do të jenë përfituesit kryesorë të këtij programi, i cili do të ndjekë procesin e reformave madhore të Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke i përafruar ato me standardet e BE-së.

Në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust-in, Europolin dhe agjencitë e tjera përkatëse të zbatimit të ligjit të BE-së, projekti do të nxisë krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, duke përmirësuar kapacitetin për hetime ndërkombëtare dhe ndërkufitare.

Për më tepër, programi i BE-së për Çështjet e Brendshme në Kosovë do të trajtojë fushat kritike të reformës në Kosovë, duke përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sigurinë kibernetike.

Projekti do të ofrojë asistencë për Ministrinë e Punëve të Brendshme në identifikimin dhe përcaktimin e infrastrukturës kritike kombëtare dhe evropiane, si dhe mbështetje në zhvillimin e planeve të sigurisë së operatorëve.

Gjithashtu, do të bëhen përpjekje për të themeluar një Agjenci të Sigurisë Kibernetike dhe përafrimin e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e BE-së.

Programi i BE-së për Çështjet e Brendshme në Kosovë nënvizon përkushtimin e BE-së dhe shteteve të saj anëtare për të bashkëpunuar me Kosovën në arritjen e rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe avancimin e sundimit të ligjit.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga BE-ja, shtetet anëtare dhe institucionet përfituese pasqyrojnë vendosmërinë e përbashkët për të siguruar zbatimin e suksesshëm të programit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi nuk arritën qëllimin e caktuar, shpalljen kampionë në Angli,…