BE-ja mirëpret bashkëpunimin mes të ministrave të shëndetësisë së Kosovës dhe Serbisë
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka mirëpritur bisedën midis ministrave të shëndetësisë së Kosovës dhe Serbisë, Arben Vitia dhe Zlatibor Lonçar rreth pandemisë së koronavirusit.
“Të punojmë së bashku – përtej dallimeve – për të shpëtuar jetë në Kosovë dhe Serbi! Kjo është mënyra për të ecur përpara në rajon. Urime ministrave të Shëndetësisë dhe Qeverisë Italiane për lehtësimin e kontakteve të tyre”, ka shkuar Zyra e BE-së në llogarinë e vet zyrtare në “Facebook”.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka komunikuar me anë të një videoje me homologun e tij nga Serbia, Zlatibor Lonçar. Kjo video konferencë ishte organizuar para dy ditësh nga qeveria italiane.
Loncari dhe Vitia kanë diskutuar për masat e nevojshme për të luftuar pandeminë dhe gjatë bisedimeve, të cilat morën pjesë përfaqësuesit e KFOR-it, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për të luftuar në mënyrë efektive pandeminë, transmeton Klan Kosova.
Ambasadorët e ShBA-së në Prishtinë dhe Beograd Philip Kosnett dhe Anthony Godfrey gjithashtu kanë mirëpritur bisedën.



