BE-ja ndan 6 miliardë euro për Turqinë

17 dhjetor 2020 | 15:41

Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar të enjten se i ka ndarë Turqisë gjashtë miliardë euro për të trajtuar problemin me emigrantët sirianë, raporton “AFP”.

Ankaraja kishte kërkuar nga BE-ja të ndajë fonde për emigrantët në mënyrë që t’i mbajë ata në territorin e vet dhe të mos lejojë shkuarjen e tyre në vendet evropiane.

Pas krizës më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore më 2015, kur rreth një milion njerëz arritën në Evropë, Brukseli dhe Ankaraja kanë rënë dakord më 2016 për të zgjidhur këtë çështje.

Sipas marrëveshjes, Turqia është zotuar të pranojë kthimin e emigrantëve që mbërrijnë në Greqi dhe të bëjë më shumë për të ndaluar rrugëtimin e tyre në këmbim të gjashtë miliardë eurove (7.20 miliardë dollarë).

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, disa herë e ka akuzuar BE-në për mospërmbushjen e premtimeve duke thënë se Ankaraja ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për më shumë se 3.6 milionë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi.

“Sot shënohet përfundimin e kontraktimit të gjashtë miliardë eurove si mbështetje e BE për refugjatët dhe komunitetet pritëse në Turqi”, ka thënë Nikolaus Meyer-Landrut, i dërguari i BE-së në Ankara.

Paratë e BE-së janë caktuar për projekte të veçanta sociale brenda Turqisë për të ndihmuar refugjatët dhe nuk do t’i paguhen drejtpërdrejt qeverisë turke. Kjo çështje ka qenë edhe arsye e ngritjes së tensioneve midis bllokut dhe Turqisë.

Në fillim të këtij viti, Erdogani ka thënë se Turqia nuk do të ndalojë emigrantët të shkojnë në territorin e BE-së, por më vonë hoqi kërcënimin.

Ai është përpjekur të bënte presion në Bruksel për t’i dhënë më shumë mbështetje Turqisë në funksion të konfliktit sirian, veçanërisht pasi dhuna u ndez në rajonin veriperëndimor të Idlibit.

Emigrantët kanë ikur në Turqi pasi shpërtheu konflikti pas protestave antiqeveritare në Siri më 2011. Llogaritet se nga konflikti kanë vdekur rreth 400 000 persona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi është duke konsideruar mundësinë që të provojë transferimin…