BE-ja nuk do t’i njohë pasaportat ruse të lëshuara në territoret e aneksuara të Ukrainës

11 nëntor 00:11

Pasaportat ruse të lëshuara në territoret ukrainase të aneksuara nga Rusia, dhe në zonat separatiste pro-ruse në Gjeorgji, nuk do të njihen më në Bashkimin Evropian, sipas një marrëveshjeje të arritur sot midis Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së.

Pra, mbajtësit e këtyre dokumenteve nuk mund të marrin vizë ose të hyjnë në zonën Shengen.

“Ky vendim është një përgjigje ndaj agresionit të pajustifikuar ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndaj praktikës së vazhdueshme të lëshimit të pasaportave ndërkombëtare ruse për banorët e territoreve të okupuara”, tha Këshilli i BE-së në një deklaratë, transmeton KlanKosova.tv.

Në shtator, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi aneksimin e rajoneve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut në lindje dhe Zaporozhye dhe Kherson në jug, në një procedurë të njëanshme që u refuzua nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Moska gjithashtu aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014.

Vendimi evropian vlen edhe për pasaportat e lëshuara në rajonet separatiste pro-ruse të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji, pavarësia e të cilave u njoh në mënyrë të njëanshme nga Moska.

Këshilli i BE-së, thekson se dokumentet nga ato rajone tashmë po refuzohen ose janë në rrugë të refuzimit në shtetet anëtare, duke shtuar se qëllimi i këtij vendimi është të sigurohet një qasje e harmonizuar brenda Unionit.

Marrëveshja e arritur me propozimin e Komisionit Evropian fillimisht duhet të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Cadiz.…