Berisha pret studentët e Sciences Po, flet për korrupsionin, integrimin europian dhe sfidat e Ballkanit

19 prill 2026 | 11:35

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim të zgjeruar me studentë të shkollës prestigjioze franceze të studimeve politike, Sciences Po.

Sipas një postimi të tij në ‘Facebook’, në takim morën pjesë studentë kryesisht francezë, por edhe nga vende të tjera europiane, me të cilët u diskutua mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri, përfshirë skandalet e korrupsionit, procesin e integrimit europian dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani, siç është demografia.

Berisha ka theksuar se, i pyetur se si Partia Demokratike do ta luftojë korrupsionin, ai ka paraqitur një qasje të bazuar në reforma strukturore, duke përmendur uljen e barrës së licencave, funksionimin e sistemit “one-stop-shop”, reduktimin e taksave dhe përdorimin e teknologjisë blockchain për një prokurim publik transparent dhe të gjurmueshëm.

Postimi i plotë i tij:

Pata kënaqësinë të mirëprisja, në një bisedë të gjatë dhe të zgjeruar, studentët e shkollës emërmadhe franceze të studimeve politike, Sciences Po.

Me të rinjtë, kryesisht francezë, por edhe nga kombësi të tjera europiane, diskutuam mbi aktualitetin në Shqipëri: skandalet e përsëritura të korrupsionit, procesin e integrimit europian, si dhe sfidat e Ballkanit, përfshirë demografinë.

Pyetjes së tyre se si Partia Demokratike e Shqipërisë do ta luftojë korrupsionin, iu përgjigja se kjo kërkon një kombinim reformash strukturore: ulje të barrës së licencave, funksionimin e regullt të sistemit “one-stop-shop”, reduktim taksash dhe perdorim të teknologjisë si blockchain për prokurim publik transparent dhe të gjurmueshëm.

Në diskutimin për ekonominë, theksova se praktika aktuale shpesh dekurajon pjesëmarrjen reale të kompanive europiane në tenderat publikë në Shqipëri. Kjo bie ndesh me frymën e tregut të përbashkët europian dhe me parimin e shtetit të së drejtës. Pa këto dy shtylla, nuk mund të flasim për integrim të vërtetë.

Në këtë kontekst, përmenda edhe letrën e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vučićit në mediat gjermane, e cila sugjeron një qasje që mund të perceptohet si integrim i diferencuar. Ky nuk është standardi që ne synojmë. U përsërita atyre sic bëj vazhdimisht se e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit është, pa dyshim, në Bashkimi Evropian.

Pyetjes mbi qëndrimet e ‘ndonjë Ambasadori të lobuar’, që pretendon se opozita amplifikon skandalet e korrupsionit, iu përgjigja se ka të tillë që bëjnë mbrojtje pasionante të Edi Ramës, por vlerësimi i realitetit duhet të bazohet në fakte dhe në interesin publik, mbi çdo konsideratë tjetër.

U ndala gjithashtu te rasti i Kolegji i Evropës, duke theksuar se çdo çështje me interes publik kërkon transparencë dhe hetim të plotë, në funksion të standardeve europiane.

Në diskutimin mbi kujtesën post-komuniste, solla shembullin e Havzi Nelës — një poet që u ekzekutua në mënyrë tragjike me firmen e babait te Edi Rames dhe që meriton më shumë njohje në nivel europian.

Studentët e SciencesPo janë pjesë e Institutit të Studimeve Politike, cikli East European Studies, ku bëjnë pjesë profesorë e ekspertë ndër më të mirët në Europë për integrimin.

Drejtuesi i ciklit është njëkohësisht Drejtor i Qendrës Jacques Delors për Zgjerimin e BE.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar…