Betohet presidenti i ri i Kroacisë

18 shkurt 2020 | 15:02

Presidenti i ri i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka marrë të martën detyrën nga paraardhësja e tij, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Ai e ka bërë betimin, duke u zotuar se do t’iu shërbejë qytetarëve kroatë “me ndërgjegje dhe përgjegjësi”.

“Republika jonë ka nevojë për çdo njeri. Secilit duhet t’i jepet mundësia të jetojë me dinjitet dhe paqe nga puna e tij”, ka thënë Millanoviqi.

Ai ka theksuar se nuk e ka ndërmend “të jetë një faktor korrigjues, por një faktor konstruktiv”, raporton “Rel”.

“Do të jem i përkushtuar, transparent, i qëndrueshëm. Në politikën e jashtme, do të përqendrohem në pikat që mund të ofrojnë siguri dhe begati”, është shprehur Millanoviqi.

Millanoviqi e ka mposhtur Grabar-Kitaroviqin në zgjedhjet e 5 janarit.

Posti i presidentit konsiderohet ceremonial në Kroaci, por analistët besojnë se humbja e Grabar-Kitaroviqit mund të shkaktojë probleme për kryeministrin e partisë HDZ, Andrej Plenkoviq, në zgjedhjet e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka rekomanduar që llogaritja e…