Një foshnjë tërheq gjithë vëmendjen në Senatin e Australisë (video)
Senatorja australiane, Fatima Payman i është drejtuar Senatit duke mbajtur në krahë vajzën e saj gjashtëmuajshe, Aliyah, ndërsa kolegia e saj, Lidia Thorpe, e ulur në rreshtin pas saj, luante me foshnjën lojën “ku jam unë”, duke u fshehur dhe shfaqur.
Kjo skenë ndodhi gjatë një debati mbi legjislacionin për “detyrën digjitale të kujdesit”, i cili synon t’i detyrojë kompanitë teknologjike të marrin më shumë përgjegjësi për dëmet që platformat e tyre u shkaktojnë përdoruesve.
Teksa Payman, me vajzën në krahë, kërkonte mbështetjen e kolegëve për amendamentet në projektligj, Thorpe u përkul nga pas drejt foshnjës, duke bërë grimasa qesharake dhe duke fshehur fytyrën, ndërsa e vogla Aliyah e vëzhgonte çdo lëvizje me kureshtje.
Pamjet nga seanca u publikuan nga transmetuesi publik australian “SBS News” dhe u përhapën në rrjetet sociale brenda pak orësh. Përdoruesit e përshkruan atë si një moment të rrallë ngrohtësie në një sallë që zakonisht karakterizohet nga debate të ashpra politike.
Payman është senatorja e parë nga Australia Perëndimore që bëhet nënë gjatë kohës që mban këtë post. Aliyah ka lindur në maj të këtij viti, ndërsa familja i ka kaluar katër muajt e parë në Perth, pas së cilës Payman është kthyer në punë.
Prania e një foshnjeje në sallë nuk shkel asnjë rregull. Në vitin 2016, Senati australian e ndryshoi rregulloren e tij të brendshme për t’u lejuar prindërve t’i sjellin foshnjat në sallë dhe të kujdesen për to gjatë seancave.
E lindur në Kabul, Payman hyri në Senat në vitin 2022 si anëtare e Partisë Laburiste. Megjithatë, ajo u largua nga partia në korrik të vitit 2024 dhe që atëherë shërben si senatore e pavarur.



