Bibla më e vjetër e më e plotë hebraike shitet për 38.1 milionë dollarë

18 maj 2023 | 08:26

Një Bibël hebraike më shumë se 1000 vjeçare u shit për 38.1 milionë dollarë në Nju Jork të mërkurën, duke vendosur një rekord për dorëshkrimin më të vlefshëm të shitur ndonjëherë në ankand.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “Codex Sassoon” – që daton në fund të shekullit të nëntë deri në fillim të shekullit të dhjetë – është Bibla më e hershme dhe më e plotësuar hebraike e zbuluar ndonjëherë.

Ajo u shit pas një beteje ofertimi midis dy ofertuesve, tha shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në një deklaratë.

Bibla ishte blerë nga ish-diplomati amerikan Alfred Moses në emër të një organizate jofitimprurëse amerikane dhe do t’ia dhurojë Muzeut ANU të Popullit Hebre në Tel Aviv, Izrael, tha Sotheby’s.

Shitja tejkaloi 30.8 milionë dollarët e paguara për dorëshkrimin e Leonardo da Vinçit në vitin 1994 si dokumenti më i shtrenjtë i shkruar me dorë i shitur ndonjëherë në ankand.

Sidoqoftë, dokumenti historik më i shtrenjtë mbetet një nga printimet e para të Kushtetutës së SHBA-së, të cilën “Sotheby’s” e shiti për 43 milionë dollarë në nëntor 2021.

“Codex Sassoon” është një nga vetëm dy kodikët, ose dorëshkrimet, që përmban të 24 librat e Biblës Hebraike që kanë mbijetuar deri në epokën moderne.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, është sulmuar nga ajri nga Rusia…