Bie numri i udhëtarëve në ANP “Adem Jashari” për 53 për qind

18 janar 2021 | 13:45

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 1,104,435 udhëtarë në vitin 2020, sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA. Kështu është thënë në komunikatën e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, ky numër udhëtarësh është 53 për qind më i ulët se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2019 (2,373,698).

“Kjo ka ardhur si pasojë e pandemisë së krijuar nga virusi Covid-19, e cila ka shkaktuar krizën më të madhe në historinë e aviacionit. Mirëpo, duhet theksuar që përkundër krizës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka qenë i dyti me më së shumti udhëtarë në rajon, duke kaluar aeroportet si atë të Zagrebit, Splitit dhe Dubrovnikut. Muaji janar ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 183,472 udhëtarë, që pasohet nga muaji shkurt me gjithsej 167,148, ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajve prill, maj dhe qershor me mbi 95 për qind rënie të numrit të udhëtarëve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, është thënë në komunikatën për medie të ANP “Adem Jashari”, duke bërë me dije se gjatë vitit të kaluar janë realizuar 4,651 nisje fluturimesh, apo 49 për qind më pak se vitin e kaluar.

“U dalluan me më së shumti fluturime muajt janar dhe tetor, me 684 dhe 597 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji prill kishte më së paku nisje fluturimesh, 29. Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli (BSL/MLH), Shtutgarti, Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Suedia, Austria e kështu me radhë. Prej kompanive ajrore, prin EuroWings me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Wizzair, Air Mediterranean, EasyJet, Chair Airlines, Edelweiss, e kështu me radhë”, është thënë në komunikatën e Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Frankfurti, Kopenhaga, Londra (Heathrow), Çikago (O’Hare), Helsinki dhe Brukseli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me…