Bisedimet për Brexit-in po hyjnë në fazën vendimtare

07 tetor 2019 | 15:25

Bashkimi Evropian (BE) do të vendosë në fund të javës, nëse një marrëveshje e Brexit-it do të jetë e mundur, ka deklaruar presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai i ka thënë kryeministrit britanik, Boris Johnson, se bisedimet tani duhet të vazhdojnë me shpejtësi, për të parë nëse një marrëveshje e mundshme mund të “respektojë” parimet e BE-së.

Por, kryeministri britanik vazhdon të mos lëkundet në qëndrimet e tij, se një dalje e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të ndodhë më 31 tetor, edhe nëse nuk arrihet marrëveshja.

Sidoqoftë, një ligj britanik e obligon, që ai të kërkojë një shtyrje të afatit, nëse nuk ka pajtim për një marrëveshje deri më 19 tetor.

Gjatë bisedës telefonike me presidentin Macron, kreu i qeverisë britanike, ka kërkuar nga BE-ja që të bëj kompromis ashtu sikurse ka bërë Britania e Madhe.

Komentet e dy liderëve janë bërë përpara bisedimeve kyçe që pritet të fillojnë më 7 tetor mes delegacioneve të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian.

Çështja e kontrolleve doganore në kufirin irlandez, pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, është problemi kyç i bllokadës së procesit të Brexit-it.

Kryeministri Johnson ka dalë me një plan, siç ka thënë përfundimtar, që parasheh qëndrimin e Irlandës Veriore në tregun evropian të mallrave, mirëpo largim nga sistemi i doganave, që nënkupton kontrolle të reja doganore. Mirëpo, BE-ja ka shfaqur pak entuziazëm ndaj këtij plani.

Një dalje e Britanisë së Madhe nga blloku, pa një marrëveshje, mund të trazojë tregjet financiare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gjykatë në Milano e specializuar për mosmarrëveshjet e biznesit…