Bislimi: Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave dhe agjendës evropiane

27 prill 2023 | 22:18

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po qëndron për një zyrtare në Suedi.

“Për të forcuar mesazhin se Kosova është e gatshme të vijojë rrugëtimin e saj drejt sukseseve të reja në procesin e Integrimit Evropian, u nisëm drejt Stockholm në Suedi”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.

Ai ka theksuar se përkushtimi i Kosovës në rrugën drejt BE-së do të vazhdojë pareshtur.

“Takuam ministren për Çështje Evropiane, Jesika Rosswall dhe dy sekretarët e Shtetit përkatësisht për Çështje Evropiane dhe për Punë të Jashtme, Christian Danielsson dhe Jan Knutsson. U evidentuan arritjet në kuadër të proceseve të Integrimit Evropian si liberalizimi i vizave dhe kalimi i etapës së parë në anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka bërë me dije se shfaqën nevojën për të ecur tutje në fazat e ardhshme me aplikimin për anëtarësim në BE, të cilat do të ishin fillimisht marrja e pyetësorit e më tej statusi i vendit kandidat.

“7 vite pas nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, vendi ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave dhe agjendës evropiane. Do të vazhdojmë të dëshmojmë se do të bëjmë dhe më shumë e të meritojmë më shumë”.

“Në përmbyllje të vizitës, ishte kënaqësi e veçantë takimi dhe me diasporën në Suedi, në pritjen e organizuar nga ambasada e jonë atje. Në mesin e tyre dhe ish studentë të mi dhe bashkëkombas tanë të cilët shkëlqejnë në fusha të ndryshme dhe treguan për historitë e tyre të suksesit”, ka shkruar Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka akuzuar Qeverinë e…