Bosnja ia ndalon hyrjen Radoiçiqit, e cilëson kërcënim për sigurinë kombëtare

19 nëntor 2026 | 14:20

Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, i është ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi është shpallur kërcënim për sigurinë kombëtare, kanë konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” burime të sigurisë.

Sipas tyre, vendimi është marrë më 13 nëntor  – katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe ta shpallte në kërkim, pasi nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor.

Paraqitja e detyrueshme në polici ishte një nga masat e mbikëqyrjes të vendosura ndaj tij, në kuadër të procedurës që po zhvillohet për rastin e Banjskës.

Institucionet përgjegjëse të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk kanë dhënë hollësi për vendimin dhe as arsyet përse Radoiçiq cilësohet kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ndalimi nënkupton se, nëse Radoiçiq tenton të hyjë në Bosnje dhe Hercegovinë, atij do t’i refuzohet hyrja ose do të ndalohet në pikën kufitare apo në ndonjë vend tjetër të hyrjes në këtë shtet.

Vendimi vjen në kohën kur vendndodhja e Radoiçiqit mbetet e panjohur, pasi ai nuk ka qenë i qasshëm për organet e drejtësisë në Serbi gjatë ditëve të fundit.

Më herët, atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar të largohet nga vendbanimi pa lejen e autoriteteve përkatëse.

Ai ka pasur gjithashtu ndalesë për të udhëtuar në Kosovë.

Zhdukja e tij ka ndodhur pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e mbajtura në fund të tetorit në Serbi.

Disa ditë para se të shpallej në kërkim, kanë qarkulluar informacione të pakonfirmuara se Radoiçiq ishte larguar nga Serbia drejt Rusisë.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe Ambasada ruse në Beograd nuk i kanë konfirmuar këto pretendime.

Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që ka kryer sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.

Një polic i Kosovës është vrarë në sulm, ndërsa në përleshjet e armatosura që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në Serbi, Radoiçiq është nën hetime për disa vepra penale që lidhen me sigurimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, edhe pas tre vjetësh, ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë.

Prokuroria serbe, pas pranisë së Radoiçiqit në tubim elektoral: Hetimet për Banjskën po vazhdojnë.

Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, përfshirë Radoiçiqin, i cili po gjykohet në mungesë.

Kosova ka lëshuar gjithashtu fletarrestim ndërkombëtar për të, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë vendosur më herët sanksione ndaj tij, për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar dhe korrupsion.

Vendimi për t’ia ndaluar hyrjen në Bosnje dhe Hercegovinë është marrë vetëm disa ditë pasi nga ky vend është larguar Zvonko Vesellinoviq, bashkëpunëtor shumëvjeçar i Radoiçiqit në biznes.

Burime të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë kanë konfirmuar më herët për “Radion Evropa e Lirë” se Vesellinoviq është larguar më 11 nëntor nga Sarajeva drejt Turqisë, duke përdorur pasaportën serbe.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas Arda Gulerit, mesfushori francez Aurelien Tchouameni, është futbollisti i…