Aleksandër Çupiq zgjidhet kryetar i Kuvendit të Serbisë

19 nëntor 2026 | 14:17

Kandidati i Listës Studentore, Aleksandër Çupiq, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Serbisë me 140 vota të deputetëve.

Kundërkandidati i tij, Stojan Radenoviq, nga grupi parlamentar opozitar “Serbia fiton”, ka marrë 97 vota.

Deputetët kanë votuar hapur, një nga një, pasi u është thirrur emri.

Pas votimit, Çupiq ka marrë drejtimin e seancës parlamentare.

“Më është besuar një nder dhe një përgjegjësi e madhe”.

“Dialogu dhe toleranca duhet të bëhen pjesë e kulturës politike të secilit prej nesh”, ka thënë Çupiq në fjalimin e tij.

Votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Serbisë është zhvilluar në ditën e tretë të seancës konstituive.

Çupiq është docent në Fakultetin e Transportit të Universitetit të Beogradit.

Sipas biografisë së shkurtër të publikuar në faqen e studentëve, Çupiq ka lindur më 1978 dhe është rritur në Prokuple. Ka përfunduar studimet, magjistraturën dhe doktoraturën në këtë fakultet, ku punon në Katedrën e Trafikut Postar dhe Rrjeteve. Puna e tij shkencore përqendrohet te vendimmarrja dhe optimizimi në shërbimet postare e logjistikë.

Ai është nënshkrues i nismës “Mbështetja universitare” dhe ka mbështetur protestat studentore. Në serën e tij në Sopot ka strehuar studentët që po ecnin drejt Kragujevcit, ndërsa më pas u është bashkuar edhe vetë marshimeve të mëdha.

Krahas punës akademike, që nga viti 2017 merret me prodhimin organik të frutave dhe perimeve. /REL

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë…