Shiroka-Pula: Forcimi i pavarësisë së Avokatit të Popullit, thelbësor për demokracinë dhe të drejtat e njeriut

19 nëntor 2026 | 14:11

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë të enjten në konferencën “Roli dhe rëndësia e rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, e organizuar me rastin e 26-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Sipas njoftimit të Presidencës, në fjalën e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se Avokati i Popullit përfaqëson zërin e qytetarëve dhe është mbrojtës i të drejtave dhe lirive të tyre.

Ajo ka deklaruar se në një shtet demokratik, të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj, por duhet të mbrohen në çdo rrethanë.

Duke folur për rëndësinë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, presidentja ka thënë se ato përfaqësojnë thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim të institucioneve.

Sipas saj, zbatimi i këtyre rekomandimeve ndihmon në rritjen e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

Shiroka-Pula ka vlerësuar se forcimi i pavarësisë dhe i rolit të Avokatit të Popullit është thelbësor për funksionimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në përmbyllje të fjalimit, ajo ka theksuar se synimi duhet të jetë krijimi i një shoqërie ku çdo qytetar i gëzon të drejtat e tij pa pasur nevojë të kërkojë mbrojtje, ndërsa institucionet duhet të funksionojnë me përgjegjësi, në mënyrë që sa më pak qytetarë të detyrohen t’i drejtohen Avokatit të Popullit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…