Bostoni kryeson në Lindje, Orlando dhe Phoenixi ekipet e momentit në NBA

27 nëntor 2023 | 16:43

Boston është skuadra më e mirë në NBA, duke marrë fitoren e 13-të për këtë sezon dhe kryesuar në Konferencën e Lindjes. Celtics fituan në shtëpi 113-103 ndaj Atlantas. Për vendasit u dallua i zakonshmi Tatum me 34 pikë. Për Hawks spikati Young me 33 pikë, por që nuk mjaftuan për të shkuar te suksesi.

Në Lindje skuadra më në formë e momentit është Orlando Magic, që fitoi në fushën e vet 130-117 ndaj Charlotte Hornets. Ishte fitorja e shtatë radhazi për Orlandon, që ngjitet në vendin e dytë. Në sfidën e fundit spikati dyshja Anthony-Wagner që realizon nga 30 pikë secili.

Në Perëndim kreun e renditjes e mori Minnesota, që falë 24 pikëve të Edwards mundi jashtë fushe 119-97 Memphis Grizzlies. 12 fitore për Minnesotën, e cila po surprizon këtë sezon, duke lënë poshtë vetes skuadra pretendente si Denver dhe Phoenix, me këtë të fundit që ka ecurinë më të mirë të momentit me 7 fitore rresht.

Suns fituan jashtë, duke mundur 116-113 New York, ndeshje ku dyshja Booker-Gordon realizoi 53 pikë së bashku, duke i bërë të pavlefshme 63 pikët e dyshes Brunson-Randle për vendasit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollistët e Shqipërisë, Kristjan Asllani dhe Jasir Asani, janë në…