BQK-ja dhe odat ekonomike koordinojnë propozimet për rimëkëmbjen ekonomike

02 korrik 11:40

Në kuadër të takimeve të rregullta me qëllim të koordinimit të propozimeve të përbashkëta për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë Covid-19, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ka prezantuar propozimet e BQK-së për institucionet qeveritare, duke theksuar nevojën e mbështetjes më të madhe për industrinë e prodhimit në vend. Në të njëjtën kohë guvernatori Mehmeti, ka sqaruar edhe dispozitat e Udhëzuesit për ristrukturimin e kredive për shkak të Covid-19, duke shprehur besimin se bankat komerciale do t’u dalin në ndihmë ndërmarrjeve të prekura.

Ndërsa drejtuesit e odave ekonomike kanë elaboruar propozimet e të dyja odave përkatëse të cilat përfshijnë rekomandime për përkrahjen financiare, por edhe për lehtësira fiskale për bizneset.

Propozimet e përbashkëta të Bankës Qendrore të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë përfshijnë edhe pikat e intervenimit legjislativ të cilat do të mundësonin zbatimin e masave të propozuara. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj…