Bretkosat në kos

22 dhjetor 2021 | 13:24

Nga: Jorge Bucay
Përktheu: Bajram Karabolli

Ishte sezon provimesh. Kisha dhënë dy provime të plota dhe një të pjesshëm. Kisha një javë kohë për provimin e ardhshëm, por lënda ishte shumë voluminoze.

– Nuk kam për t´ia dalë dot – i thashë Horhes. – Është e kotë të harxhoj energjitë për një çështje të humbur. Më mirë të paraqitem me ç´kam mësuar deri tani, kështu që, edhe sikur të mos e marr provimin, të paktën nuk do të jem torturuar duke studiuar një javë të tërë.

– E di historinë e dy bretkosave? – më pyeti barkoshi dhe vazhdoi:

“Dy bretkosa ranë në një enë me kos dhe, të tmerruara, ndjen se po fundoseshin. Për një kohë të gjatë përplasnin këmbët për të mbërritur në anë të enës, por ishte e pamundur të notonin në atë masë të lëngshme aq të trashë. Vetëm llokoçiteshin, duke ngelur në vend e duke u fundosur, si në një rërë të rrëshqitshme.

Duke e parë të pamundur daljen në sipërfaqe, njëra nga bretkosat bërtiti:

– Nuk mundem më. Është e pamundur të dal këtej. Është një material ku nuk notohet. Ç´kuptim ka të lodhem kot, kur është e sigurt se do të vdes.

Dhe kështu, ajo pushoi së lëvizuri këmbët e u fundos në atë lëng të trashë e të bardhë.

Bretkosa tjetër, më këmbëngulëse e ndoshta edhe kokëfortë, tha me vete:

– Është e kotë. Nuk mund të notohet në këtë gjë. E shoh se vdekja po vjen. Ama, do të luftoj deri në grahmën e fundit, sepse nuk dua që të vdes as një sekondë përpara se të mbërrijë fundi im.

Dhe vazhdoi të përplaste këmbët, edhe pse nuk bënte asnjë centimetër përpara. Përplas këmbët e llokoçitu, përplas këmbët e llokoçitu, gjithnjë në të njëjti vend, për një orë e më shumë. Dhe ja, papritur, nga gjithë ajo përplasje këmbësh, nga kosi që u tund e u rrah aq shumë u formua gjalpi. Bretkosa, e habitur, hipi mbi gjalpin dhe doli në krye të enës. Pastaj me një të kërcyer doli andej dhe shkoi në shtëpinë e saj”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Kryetari i Këshillit…