Bunjaku: Liga Kosovë – Shqipëri në favor të basketbollistëve të rinj

30 korrik 2020 | 16:31

Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës pritet të nisë me risi, pasi do të fillojë edhe liga e përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke punuar intensivisht për jetësimin e ëndrrës për një ligë të përbashkët, ku do të marrin pjesë katër skuadrat më të mira të Kosovës dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Kjo ide po përkrahet nga komuniteti i basketbollit në Kosovë, si trajnerët, analistët dhe lojtarët. Basketbollisti i Kosovës dhe Golden Eagle Yllit, Valon Bunjaku, thotë se kjo do të jetë një risi dhe në favor të lojtarëve të rinj.

“Liga e përbashkët Kosovë – Shqipëri mendoj se do të jetë një risi për ne basketbollistët, po ashtu edhe për shikuesit. Gjithashtu, do të jetë në favor të basketbollistëve sepse do të ketë shumë lojëra. Qëllimi kryesor i kësaj lige është përkrahja e basketbollistëve të rinj. Skuadrat duhet t’u japin më shumë hapësirë të rinjve, që do të ishte një motivim i madh për ta sepse në vendin tonë ka shumë talentë të rinj që meritojnë përkrahje, e kjo do të kishte ndikim shumë të madh në fushën e basketbollit. Jam shumë i lumtur që erdhi një bashkëpunim i tillë dhe mendoj se do të jetë një përvojë prej më të mirave”, është shprehur Bunjaku për faqen zyrtare të FBK-së.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot janë regjistruar edhe tri raste të reja të prekur…