Butrint Ahmetit i duhet nënshtetësia shqiptare për ta vazhduar karrierën në Evropë

03 korrik 2020 | 11:45

Talenti i madh i futbollit në Kosovë, Butrint Ahmeti, me cilësitë që ka, e ka të garantuar të ardhmen në futbollin evropian, por pengesë për këtë po bëhet moslejimi i lirë i qytetarëve të Kosovës. Butrinti ka marrë edhe letërmbështetjen nga MKRS-ja dhe shpreson se kërkesa e tij për t’u pajisur me pasaportë shqiptare, e cila është në Presidencën e Shqipërisë, do të aprovohet.

Butrint Ahmeti është një nga talentet e mëdhenj në futbollin e Kosovës që po kërkon me ngulmë shpërthimin në arenën ndërkombëtare. Ahmeti, që aktualisht është pjesë e 2 Korrikut, ka lindur në Ferizaj më 21 janar të vitit 2004. Futbollisti nga Shtimja para dhjetë vjetësh e filloi karrierën e futbollistit në akademinë e Klubit 2 Korriku nga Prishtina dhe ende vazhdon të jetë pjesë e këtij klubi me një histori mjaft të lavdishme në futbollin e Kosovës. Djaloshi 16-vjeçar me modesti për “Epokën e re” ka treguar për hapat e parë në lojën e futbollit. “Lojën e futbollit e dashuroj se tepërmi dhe nuk e shoh jetën pa futboll. Në vitin 2010 kam filluar të merrem me lojën time të zëmrës në akademinë e futbollit 2 Korriku nga Prishtina, ku edhe sot jam pjesë e këtij klubi. Kemi arritur të fitojmë shumë trofe duke filluar nga regjioni i Prishtinës, kampion i Kosovës me grupmoshat U13, U15 dhe U17 në Superligën e Kosovës si dhe në vitin 2015 jemi shpallur kampion ballkanik në Izmir të Turqisë, ndërsa më vonë edhe në Strumic të Maqedonisë jemi shpallur kampion i Ballkan kupës. Vlen të përmendet se në finale kemi luajtur dy skuadrat shqiptare, 2 Korriku – Shkëndija, në të cilën lojë ne kemi shënuar fitore dhe jem shpallur kampionë”, ka thënë Ahmeti.

Pavarësisht prej talentit që ka një futbollist, atij i duhet një punë e madhe për të arritur të nxjerrë në pah cilësitë e tij, prandaj Ahmeti u është falënderuar trajnerëve në Klubin e 2 Korrikut për punën e madhe që kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë, sidomos me gjeneratat e reja. “Jam shumë falënderues ndaj trajnerëve me të cilët kam punuar dhe vazhdoj të punoj si Besim Ademi, Mustafë Pronaj dhe Labinot Haziri, të cilët nuk kanë kursyer asnjë minutë që rezultatet të mos më mungojnë mua dhe lojtarëve të tjerë”, ka shtuar Butrinti.

Edhe futbollisti i talentuar, si çdo tjetër futbollist në botë, synim ka daljen në futbollin evropian. Ai është provuar në dy klube gjermane dhe një të Suedisë, por problemet me vizë kanë qenë një problem për ta realizuar ëndrrën. “Kam qenë në prova në Borussia Munchengladbah, Wupertal WSC, së fundmi në Malmo FF, por telashet me dokumentacion po na pengojnë në zhvillimin dhe daljen në Evropë. Provat i kam kaluar me sukses, por telashet me vizë ma kanë pamundësuar angazhimin jashtë. Këtë e konfirmon edhe menaxheri im Leonard Paqarada, i cili ka marrë konfirmimin se provat janë kryer me suksese, por mungesa e dokumentacionit për udhëtim të lirë e ka pamundësuar edhe vendosjen në një nga këto ekipe. Shpresoj të hapen rrugët që talentet e shumtë që janë në Kosovë ta kenë më të lehtë zhvillimin dhe daljen në Evropë”, ka deklaruar Ahmeti.

Pavarësisht kësaj, talenti Ahmeti është i vendosur të mos heqë dorë nga ëndrra e madhe që një ditë të luajë në një klub të madh evropian dhe t’i bëjë krenar të gjithë shqiptarët. “Do të vazhdoj të punoj me përkushtimin më të madh, sepse jam i bindur se dyert për të dalë në Evropë do të hapen dhe shpresoj që në të ardhmen të luajë në ndonjë klub të madh. Familja ime gjithmonë ka dhënë kontribut të madh për vendin në forma të ndryshme, derisa unë mendoj ta vazhdoj këtë traditë, por nëpërmjet sportit”, ka shtuar ai.

Butrinti ëndërron të luajë në futbollin evropian, por i duhet pasaporta e Shqipërisë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë ia ka lëshuar letërmbështetjen, por vendimin përfundimtar do ta marrë Presidenca e Shqipërisë. Butrinti beson se shteti shqiptar do t’u dalë në ndihmë bijve të vetë në mënyrë që ëndrra e madhe të mos i mbetet e parealizuar.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka vdekur dhe gjashtë të tjerë janë plagosur…