Bytyqi prezanton në Bruksel angazhimin e Kosovës në arsim, hulumtim dhe inovacion

25 qershor 2018 | 22:00

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur se në ditën e parë të takimit të shtatë ministror, në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion, që po mbahet në Bruksel, ka prezantuar punën dhe angazhimin e Kosovës në këto fusha.

“Sot, në ditën e parë të takimit të 7-të ministror, në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion, që po mbahet në Bruksel, pata nderin të prezantoj punën, angazhimin dhe objektivat e Kosovës në këto fusha tejet të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Gjatë ditës së sotme, temë kryesore e takimit ka qenë hulumtimi dhe inovacioni, ku dhe kemi diskutuar për prioritetet dhe politikat kryesore të shkencës tonë kombëtare që ndiqen aktualisht, duke përfshirë edhe shkencat shoqërore dhe humane”, ka thënë Bytyqi përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se gjatë këtij takimi bashkë me ministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, janë pajtuar për bashkëpunim në fushën e arsimit.

“Gjithashtu, diskutuam edhe rreth planifikimeve tona për promovimin e inovacionit, duke përfshirë bashkëpunimin akademik-industrinë, sipërmarrjen, specializimin e mençur dhe përafrimin e prioriteteve kërkimore dhe politikave të ekonomisë, në lidhje me prioritetet tona kombëtare të kërkimit.Tashmë janë të pashmangshme edhe takimet e përbashkëta të ministrave të tri vendeve tona, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, ku në një takim tejet miqësor, bashkëbiseduam për të ardhmen e bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit dhe jo vetëm”, ka thënë Bytyqi.

Ai po ashtu ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka ndihmuar shumë Kosovën në fushën e arsimit.

“Brukseli si adresa jonë e përbashkët dhe vlerat e tij të standardeve si objektiv i yni, janë dhe mbeten një dhe e vetme. Vendet tona u treguan mirënjohëse për çdo gjë që BE po bënë për ne. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm në fushën e arsimit, të ndihmuar edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, që na janë gjetur afër, e gjithashtu edhe ne në bashkëpunim dhe konsulencë të vazhdueshme me ta, kemi bërë një rrugëtim të mirë. Proceset harmonizuese e integruese janë një marrëdhënie e përbashkët e të gjithë faktorëve evropianë, andaj dhe ne Ballkani Perëndimor po bënë shumë në këtë drejtim. Kosova sot ka një vend të merituar mes shteteve pjesëmarrëse në këtë rrugëtim dhe ne kemi ecur konsiderueshëm”, ka shkruar Bytyqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës shumë shpejt do ta ketë një votë…