Cakaj: S’ka marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën pa u ratifikuar në Kuvend

30 maj 2020 | 14:36

Përveç rolit mbështetës për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj, ka mohuar që shteti shqiptar mund të ketë ndonjë rol tjetër.

Cakaj ka deklaruar se Shqipëria nuk mund t’i imponojë një marrëveshje të dëmshme Kosovës, derisa ka theksuar se deri më tani kanë lobuar fuqishëm për njohjen e Kosovës.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Cakaj  ka thënë se Shqipëria nuk mund të ndihmojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por që sipas tij, do të adresojnë si çështje në përpjekje për të rritur ndjeshmërinë për rëndësinë e saj.

“Për mua është shumë e vështirë të marrë rolin e interpretit për Kosovën. Sipas vet Komisionit Evropian, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për të siguruar liberalizimin e vizave. Prej vitit 2014 deri më sot BE ka liberalizuar vizat për më shumë se 100 milionë banorë anë e kënd botës. Janë liberalizuar vizat në Ukrainë, Gjeorgji dhe një varg shtetesh të tjera që po të matet popullsia shkon më shumë se 100 milionë. Në këtë kuptim nuk ka hapësirë për shqetësim të natyrave çfarë shpalosen në raport me Kosovën, për një popullatë e cila është sipas censusit të fundit nëse nuk gaboj më pak se 2 milionë banorë”,  ka thënë Cakaj.

Më tutje, Cakaj ka thënë e çështja e liberalizimit të vizave jo rrallë herë është politizuar, për çka sipas tij, gjykimi për Kosovën duhet të bazohet vetëm në rekomandimet e Komisionit Evropian.

“Ky proces shpesh herë është politizuar dhe janë shprehur shqetësime të cilat objektivisht nuk qëndrojnë. Dhe gjykimi për Kosovën duhet të bazohet në rekomandimet e komisionit. Dhe natyrisht progresin që ka bërë Kosova në shumë fusha. Korrupsion ka edhe në Shqipëri, pyetja për të hapur negociatat nuk është zhbërja totale e korrupsionit, sepse ky është një proces që varet prej disa njësive matëse…Progresi i Kosovës duhet të matet krahasuar me çështjen për të cilën po diskutojmë”, ka thënë Cakaj.

Kryediplomati  shqiptar ka thënë se Shqipëria ka pasur një qëndrim të qartë prej kohësh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, për çka ka theksuar se e mbështesin agjendën zyrtare të Kosovës.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve, Cakaj është shprehur kritik në deklaratat që janë bërë për rolin e shtetit shqiptar në këtë proces.

Ai ka thënë se as ai vet, e as shefi i tij, kryeministri Edi Rama nuk mund t’i imponojnë Kosovës një marrëveshje të dëmshme.

“Ne konsiderojmë që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë. Nuk e vëmë në pikëpyetje këtë çështje që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellët dhe perspektivë të qartë për anëtarësim në BE dhe ulëse në OKB, dhe procesi duhet të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga BE. Është fare e thjeshtë dhe nuk e kuptoj pse abuzohet me këtë çështje kur BE ka një qëndrim të qartë që një skenar i tillë nuk është në agjendë. Kur ambasadori Grenell, përfaqësuesi special i presidentit të ShBA-së e përjashton këtë çështje, kjo çështje vazhdon dhe sillet në adresa të ndryshme për sulme të ulta politike. Në fund fare edhe sikur të mos i besohej askujt çka flet për këtë çështje një gjë është tepër e vërtetë. Që nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën e cila mund të kalojë pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo është çështje që mund të marrin përgjegjësinë drejtpërdrejt deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e zgjedhur”, ka thënë Cakaj.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se prej vitit 2019, Shqipëria ka qenë e angazhuar më shumë se kurrë për njohjen e Kosovës.

Derisa ka folur për vendimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës për të marrë pjesë në zgjedhjet e rregullta parlamentare në Serbi, me një listë të vetme zgjedhore, Cakaj ka thënë se një vendim i tillë është zgjatim për ta forcuar Shqipërinë në rajon.

Kjo marrëveshje në mes të shqiptarëve në Preshevë, Cakaj e ka konsideruar të rëndësishme për unifikim ideologjik karshi Serbisë.

“Për herë të parë Shqipëria luan rolin e saj, dhe me këtë partitë politike shqiptare atje e zgjerojnë fushëveprimin në adresimin e çështjeve të tyre në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të drejtave të tyre, dhe që unë nuk iluzione që asgjë do të bëhet brenda natës, nuk kam iluzione se tash për shkak të atij koalicioni situata do të përmbyset dramatikisht. Por, është fakt i domosdoshëm, bashkimi i tyre në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të tyre. Sa më të bashkuar që të jenë, aq më të fortë do të jenë”, është shprehur Cakaj

Ministri i Jashtëm në detyrë në Shqipëri, Gent Cakaj, ka thënë se sapo të hapen kufijtë do të vizitojë Komunën e Preshevës, megjithatë pranon që nuk mund të ndryshojë situatën jo të mirë të banorëve shqiptarë të luginës.

Teksa flet për raportet me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ai ka thënë se deri më tani kanë pasur bashkëpunim të mirë, ku janë dakorduar shumë herë për qëndrimet që do të mbajnë si dy shtete në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brazili ka raportuar 26 928 raste me koronavirus brenda 24…