Çekia merr kryesimin e BE-së, prioritet dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave

01 korrik 2022 | 14:42

Çekia nga sot ka marrë kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, periudhë kjo që do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2022.

Motoja e Presidencës Çeke është “Evropa si detyrë: rimendo, rindërto, rifuqizo”, e marrë nga titulli i fjalimit të presidentit Vaclav Havel nga viti 1996, fjalim ky ku ai u bëri thirrje evropianëve që të marrin përgjegjësi për sfidat globale mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe të udhëheqin përmes shembullit.

Në kryesimin e saj gjashtëmujor, Çekia ka caktuar prioritetet e saj, ndërsa duke iu referuar Ballkanit Perëndimor, prioritet mbeten progresi në negociatat për zgjerim të BE-së dhe mbështetja e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ndërkaq, sa i përket specifikisht Kosovës, Çekia prioritet ka caktuar dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e liberalizimit të vizave.

Udhëheqësi i Ambasadës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë mbajtur një ceremoni në Prishtinës ku kanë prezantuar prioritetet e Çekisë gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së.

“Republika Çeke po e merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në mes të pushtimit rus kundër Ukrainës që ka kapluar tërësisht situatën gjeopolitike në kontinentin tonë. Kjo na bën të rivlerësojmë shumë prej qasjeve dhe premisave tona aktuale”, ka pohuar Bilek.

Në njoftim thuhet se objektivi i përgjithshëm i Presidencës Çeke është të kontribuojë në krijimin e kushteve për sigurinë dhe prosperitetin e BE-së në kuadër të vlerave evropiane të lirisë, drejtësisë shoqërore, demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë mjedisore.

Ndërkaq Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka theksuar se shumica e prioriteteve të Presidencës Çeke përkthehen në aktivitete konkrete të BE-së në Kosovë, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës jetike, investimin në burimet e energjisë së gjelbër dhe të ripërtëritshme dhe në mënyra ekologjike të transportit, mbështetjen e digjitalizimit të mëtejshëm dhe sigurisë kibernetike, si dhe kontributin në zhvillim ekonomik, konkurrueshmëri dhe qasje në tregun e BE-së.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës në Evropën kontinentale.

Në pritjen e organizuar me rastin e marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Republika Çeke, Kurti ka theksuar se Kosova, si i vetmi kandidat potencial për Bashkimin Evropian që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, gjithashtu pret me padurim për të punuar së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatit aplikimin për anëtarësim në BE.

Kryeministri Kurti ka potencuar se Kosova është lider rajonal në një sërë renditjesh ndërkombëtare për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Së fundmi RCC-ja ka publikuar Barometrin Ballkanik, i cili tregoi se qytetarët e Kosovës kishin pritshmëritë më të mira për të ardhmen e tyre (49%).

Kryeministri Kurti ka thënë se pritjet e tilla të qytetarëve tanë duhet të përputhen me përgjigjen pozitive të Bashkimit Evropian.

“Kjo presidencë ka një agjendë sfiduese dhe ambicioze, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta demokratike”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

E pranishme në këtë ngjarjes ishte edhe presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Nga janari deri më 30 qershor, kryesimin e Këshillit të BE-së e kishte Franca.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Zgjerohet shërbimi mjekësore në QKMF-në “Dr.  Ali Hoxha“ në Junik,…