Çfarë parashohin objektivat e reja serbe?

12 maj 2022 | 23:31

Shkruan: Milazim Krasniqi

1. Objektivi i parë serb është proklamuar të jetë forcimi i ndikimit të Serbisë me anën e instrumenteve destabilizuese në Kosovë.

Destabilizimi synon të përfshijë, krahas veriut që është në jostabilitet permanent, edhe destabilizmin e institucioneve të vendit dhe nxitjen e konflikteve shumëplanëshe brenda shoqërisë së Kosovës.

Pra, mbajtja e Kosovës në destabilizim permanent, duke i bërë presion me veriun e rebeluar dhe duke i destabilizuar edhe institucionet shtetërore të Kosovës dhe shoqërinë në tërësi, është objektivi kryesor strategjik i Serbisë.

Pse insiston Serbia kaq fort në mbajtjen e jostabilitetit permanent në Kosovë? Sepse, sipas teorive të reja e të aplikueshme të ndërtimit të shtetit, shtetet e pastabilizuara, veçmas shtetet e dështuara, janë objekt legjitim i ndërhyrjes nga jashtë. Shtetet e dështuara paraqesin rrezik për stabilitetin rajonal e ndërkombëtar, sepse në atë rast mund të shndërrohen në strehë të agjentëve joqeveritarë siç janë organizatat terroriste.

Rrjedhimisht shansi i vetëm i Serbisë 1) për ndërhyrje më të madhe në punët e Kosovës, 2) për aneksimin e veriut (me versionet e Abhazisë, Osetisë, apo edhe të Krimesë) ose 3) për ripushtimin e plotë të saj, mund të rriten vetëm në rast të dështimit të plotë të këtij shteti, e kurrsesi në rast se Kosova bëhet shtet stabil dhe i suksesshëm.

Mbetja e veriut të Kosovës jashtë pushtetit faktik të UNMIK-ut që nga viti 1999 e deri në pavarësimin e vendit (2008) i ka mundësuar Serbisë të krijojë instrumente të forta destabilizues në territorin e Kosovës. Kur e ka rrumbullakuar procesin e krijimit të entitetit serb në veri, (me djegien e pikave doganore pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës), e ka pranuar procesin e Brukselit, për ta implementuar atë që ka fituar në terren.

Prandaj, procesin e Brukselit Serbia e ka shfrytëzuar për legalizimin e ndikimit të vet brenda Kosovës dhe, më tutje, për ta shfrytëzuar atë kartë për destabilizimin e institucioneve shtetërore të Kosovës (afera Jabllanoviq, bllokimi i Kuvendit nga opozita etj). Në bazë të këtyre kombinimeve Serbia, (e ndihmuar nga Bashkimi Evropian, për faktin që BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet), tashmë e ka kartën e provokimit të jostabilitetit në dorë, si me bashkësinë e komunave me shumicë serbe, si pa të.

Pra, destabilizimi permanent i Kosovës është konstruktuar dhe kalkuluar për një afat më të gjatë deri në momentin kur Serbia konsideron se ai destabilizim paraqet momentumin për ndonjë formë të re të kthimit të saj në Kosovën e dështuar, kinse për ta ndihmuar “stabilizimin” e saj.

2. Pika e dytë e objektivave serbe ka të bëjë me krijimin e instrumenteve të përshtatshme psikologjike, sociale e ekonomike për rritjen e natalitetit të serbëve në Kosovë. Natyrisht, kjo është një politikë e vjetër serbe, por fakti që nuk hiqet dorë prej saj, zbulon qëndrueshmërinë e politikës serbe në synimet e saj në drejtim të Kosovës.

3. E lidhur me pikën e katërt të këtyre objektivave, që insiston në nxitjen e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga Kosova drejt Evropës, kjo masë bëhet edhe më serioze, siç plotësohet edhe nga objektivi tjetër, i treti në radhitje, që ka për synim serbizimin e goranëve dhe, mundësisht, kthimin e boshnjakëve të Kosovës në orbitën serbe të ndikimit politik e kulturor.

4. Pika e pestë e këtyre objektivave bashkohet me të parën, duke pasur në plan forcimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan e, edhe në Kosovë, por këtu duke e kombinuar me rritjen e ndjenjave antiamerikane në mesin e shqiptarëve.

5. Ndërsa pika e gjashtë e këtyre objektive synon ta rikthejë në jetë idenë e mëparshme të Millosheviqit, për një aleancë serbo-greke, të cilën ai e pati quajtur “oksigjen për ortodoksinë”. Synimi i një aleance të tillë, e cila do të ndihmohej nga Rusia e rifuqizuar, do të ishte mbajtja e shqiptarëve nën presion, në një lloj sandviçi të hekurt, nga Greqia prej jugut e nga

Serbia prej veriut. E me Rusinë mbi kokë.

A është ky plan i realizueshëm?

Analiza krejtësisht sipërfaqësore e këtyre objektivave serbe zbulon se ato janë projeksione reale, të cilat edhe mund të realizohen nëse gjërat në Kosovë shkojnë keq.

Destabilizimi i institucioneve tashmë ka prodhuar pasoja konkrete në shoqërinë tonë, po edhe dëm të konsiderueshëm për imazhin e Kosovës si shtet i qëndrueshëm. Me këtë dëshpërim që ka pllakosur shoqërinë nga jostabiliteti, i cili po e pengon edhe zhvillimin ekonomik, edhe integrimin e vendit në BE, shpërngulja masive e shqiptarëve nga Kosova është reale.

Ajo mund të shkojë deri në përgjysmimin e popullsisë shqiptare në Kosovë, me çfarë do të krijohej raport tjetër demografik, natyrisht në favor të serbëve. Ndërsa rritja e ndikimit të Rusisë me frymën e saj destabilizuese, po ashtu është evidente. Kjo frymë destabilizuese është shoqëruar edhe me shpërthimin e një vale antiamerikanizmi, me stimulim edhe të një partie politike parlamentare shqiptare.

Pikat e tjera të këtij plani duken qartësisht të integruara dhe me funksione konkrete për rritjen e ndikimit, të pranisë, po dhe të rikthimit si tutorë të Serbisë në Kosovë, në rast se Kosova rrëshqet drejt dështimit si shtet. Në rast të dështimit të Kosovës si shtet, veçmas nëse rrezikon të bëhet edhe truall i ekstremizmit dhe terrorizmit, kujdestarinë mbi të pashmangshëm do ta merrte Serbia.

Prandaj të gjithë ata që për çfarëdo arsyesh të proklamuara shkaktojnë destabilizimin e institucioneve të shtetit dhe e deprimojnë shoqërinë shqiptare në Kosovë, çojnë ujë në mullirin e këtyre objektivave serbe, të cilat, ndonëse nuk janë bërë publike, janë duke u zbatuar konkretisht. (10 mars 2016)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka shënuar fitore të thellë 5:0 ndaj Levantes…