Çfarë po ndodh? Trusti humb 161 milionë euro veç deri në gusht

05 tetor 2022 | 12:30

Kriza në tregjet financiare globale muajve të fundit është duke ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në investimet e jashtme të Fondit Pensional të Kosovës (Trust).

Si rrjedhojë e kësaj, Trusti deri në gusht ka humbur hiç më pak se 161 milionë euro nga rënia e vlerës së aseteve të saj në këto tregje.

Në raportin më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku shpalosen informatat mujore të sistemit financiar në vend, në muajin gusht të këtij viti, kthimi në investimet e Trustit ishte -161 milionë euro.

Madje, ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se derisa çrregullimet në tregjet ndërkombëtare të vazhdojnë, paratë e kontribut-paguesve do të shënojnë vazhdimisht humbje.

Gjatë kësaj periudhe (gusht), kontributet e reja në Trust kanë arritur në 116.2 milionë euro, derisa vlera e çmimit të aksionit ishte 1.65 euro, përcjell “Buletini Ekonomik”.

Vlera e aseteve të jashtme neto të investuara nga Fondet Pensionale të Kosovës deri në muajin gusht të këtij viti, ishte gjithsej 1 miliardë e 613.5 milionë euro.

Ndërkohë, vlera e përgjithshme e aseteve të Fondit Pensional të Kosovës është 2 miliardë e 283 milionë euro, prej të cilave 2 miliardë e 274.5 milionë i takojnë Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), kurse 8.5 milionë janë asete të Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP).

Sa i përket Fondit Slloveno-kosovar të Pensioneve, kthimi në investime ishte -801.6 mijë euro, derisa kontributet e reja ishin në vlerë të 294.9 mijë eurove. Kurse, vlera e çmimit të aksionit ishte 188.10 euro (Vlera bazë e aksionit: FKPK-së =1 dhe FSKP-së =100).

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Xavi Hernandez insiston se Barcelona pa meritë humbi nga…