Cikalleshi dhe Roshi: Nuk kemi frikë nga Anglia, luajmë për rezultat pozitiv

11 nëntor 2021 | 12:03

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për dy ndeshjet e fundit ndaj Anglisë dhe Andorrës. Fillimisht kuqezinjtë do ta luajnë ndeshjen e parë në stadiumin e “Wembleyt” ndaj anglezëve më 12 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë skuadra e Rejës do të luajë në “Air Albania” me Andorrën.

Në prag të sfidës me Anglinë, kanë dalë në një konferencë për mediat Sokol Cikalleshi dhe Odise Roshi. Cikalleshi ka thënë se kuqezinjtë duhet të luftojnë sikurse në ndeshjen kundër Francës për të arritur një rezultat pozitiv. “Goli në ‘Wembley’, nëse nuk do të jepte rezultat, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal timin. Duhet të dimë që nëse do të jemi të gjithë bashkë dhe të nxjerrim më të mirën tonë, atëherë mund të kemi ndonjë shans. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror. Duke nxjerrë çka kemi ne dhe duke luftuar si në ndeshjen me Francën ku kemi barazuar, apo me Portugalinë, që ne kemi treguar se mund të arrijmë rezultat. Ka qenë shpirti i garës dhe harmonia e grupit që na ka bërë ta arrijmë rezultatin. Dhe kjo është rruga e vetme besoj që ne mund të nxjerrim diçka në ndeshjen me Anglinë”, ka thënë Cikalleshi.

Ndërsa Odise Roshi ka thënë se të gjithë e dinë kualitetin e Anglisë, por beson se Shqipëria mund të arrijë fitore. “Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka, kurse puna e trajnerit, se si do të luajë në fushë, atë po e bëjmë në stërvitje. Ende nuk e ka vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe kur të futemi të japim më të mirën dhe tani, nëse themi do të fitojmë, këtë kemi thënë gjithmonë. Do të shkojmë në ‘Wembley’ të luajmë dhe ta japim maksimumin”, ka thënë Roshi.

“Mrekullitë kanë ndodhur, prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali më 2014 dhe i kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë”, ka shtuar Roshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, nëpërmjet llogarisë se vet…