Çmimi i ulët sjell konsum rekord të energjisë elektrike në Kosovë

21 dhjetor 2018 | 12:59

Fillimi i kësaj jave ka parë rekord të konsumimit të energjisë elektrike në vend. Gjatë 24 orëve të së hënës, amvisëritë dhe bizneset kosovare kanë shpenzuar afër 20.000 megavatë të energjisë elektrike.

Në përgjithësi, konsumi i energjisë arrin në mbi 18.000 megavatë brenda një ditë të vetme gjatë stinës së dimrit.

Faktor i rëndësishëm që ndikon në rritjen e shpenzimit më të madh të energjisë gjatë stinës së dimrit vlerësohet se është edhe çmimi i lartë i lëndëve djegëse, siç janë peleti apo edhe druri. Mediat kanë raportuar në disa raste se qytetarët janë ankuar për çmimin e lartë të këtyre lëndëve.

Kurse, në anën tjetër, Kosova vazhdon të ketë çmim të ulët të energjisë elektrike krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Bazuar në të dhënat e Zyrës së Statistikave të Komisionit Evropian, EUROSTAT, të bëra publike në fund të vitit të kaluar, në Kosovë, çmimi për kilovat/orë është 6.9 cent, që i bie se është gati dyfish më i ulët se në Mal të Zi, ku 1 kilovat/orë kushton 11.1 cent. Në Maqedoni, çmimi është 8.2 cent për kilovat/orë, kurse në Serbi është 8 cent. Në Kroaci çmimi është edhe më i lartë, me 13.3 cent, kurse në Slloveni 19.8 cent.

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, apelon tek qytetarët që të kursejnë sa më shumë që të jetë e mundur energjinë elektrike.

Ai po ashtu ankohet se rritja e dukshme e konsumit të energjisë elektrike është duke shkaktuar mbingarkesa në rrjet, që për pasojë sjell probleme të ndryshme teknike. “Natyrisht, rrjeti i vjetërsuar e bën situatën edhe më të vështirë. Për këtë arsye ne vazhdimisht investojmë që ta zëvendësojmë rrjetin aktual me një modern. Dhe besoj se është e nevojshme të sqarohet se pikërisht për shkak të problemeve në rrjet ne detyrohemi të ndalojmë furnizimin me energji në lokacione të ndryshme. Pra, e kam fjalën për ndërprerje disa orëshe, për të cilat i njoftojmë konsumatorët paraprakisht, dhe nuk bëhet fjalë për reduktime të energjisë elektrike, ashtu siç po raportohet në mediat tona,” sqaron ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhuna ndaj arbitrit Thanasis Tzilos ishte një nga lajmet që…