Courtois dhe Mbappe drejt El Clasicos: Real Madridi në përgatitje të plotë për superderbin me Barcelonën
El Clasico po afrohet dhe te Real Madridi atmosfera është krejtësisht e fokusuar te ndeshja më e madhe e futbollit spanjoll dhe botëror.
Sipas raportimeve nga kampi madrilen, portieri Thibaut Courtois dhe sulmuesi Kylian Mbappe janë në faza të ndryshme përgatitjeje, por të dy pritet të jenë të gatshëm për sfidën e madhe.
Klubi ka vendosur një ditë pushimi (sot) për lojtarët, me qëllim rikuperimin fizik dhe rikthimin në gjendje optimale para përballjes.
Courtois, sipas burimeve pranë ekipit, po punon intensivisht çdo ditë në stërvitje individuale dhe objektivi i tij është i qartë: të jetë titullar në portë.
Nga ana tjetër, Mbappe ndodhet në fazën e fundit të riaftësimit dhe raportohet se po përmirësohet vazhdimisht. Planet e stafit teknik janë që ai të jetë i gatshëm për të luajtur që nga minuta e parë, nëse nuk ka ndonjë pengesë në orët e fundit para ndeshjes.



