Aktakuzë ndaj një personi për kontrabandim migrantësh drejt Malit të Zi

05 maj 2026 | 13:33

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet M.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës, ku i pandehuri dyshohet se, me qëllim përfitimi pasuror, ka tentuar të kontrabandojë migrantë drejt kufirit me Malin e Zi.

Në njoftim thuhet se i pandehuri fillimisht ishte takuar me disa shtetas të huaj të nacionalitetit sudanez në Stacionin e Autobusëve në Pejë.

Pas një marrëveshjeje mes tyre, ai kishte pranuar t’i transportojë deri në afërsi të kufirit, me kusht që të kompensohej financiarisht pas mbërritjes në destinacion.

Megjithatë, gjatë realizimit të këtij plani, automjeti i tij është vërejtur nga Policia Kufitare e Kosovës në zonën e Drelajt.

Gjatë kontrollit, migrantët janë identifikuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Po ashtu, është sekuestruar edhe vetura që dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas raportimeve të Sky Sports, mesfushori i Manchester City, Phil…