Daçiqi: Nuk do të ketë dëbim të serbëve, mos na detyroni të mbrohemi

28 tetor 2022 | 16:43

Ministri i ri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është shumë e rëndësishme të ruhet stabiliteti politik dhe paqja, ndërsa për situatën në Kosovë ka thënë se “nuk do të ketë dëbim masiv dhe mos na detyroni të mbrohemi, kurse ne nuk do të sulmojmë askënd”.

Në një deklarim për televizionin serb “Pink”, Daçiqi ka thënë se sa i përket Serbisë, “ne besojmë se është e nevojshme të marrë pjesë në dialog dhe nuk ka nevojë të provojmë dhe t’i japim mundësinë dikujt që të thotë se Serbia është një faktor përçarës, por pyetja është se çfarë hapash do të ndërmarrin vendet perëndimore, si dhe cili është roli i NATO-s apo KFOR-it”.

Ai ka thënë se NATO-ja dhe KFOR-i duhet të sigurojnë paqen dhe se askush nuk mund të cenojë sigurinë e qytetarëve, përfshirë serbët në veri.

“Mesazhet tona janë se do të bëjmë gjithçka për paqen, por sigurisht që do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur serbët – por cilat janë pasojat? Cilat janë pasojat sipas Kurtit dhe Prishtinës nëse nuk pajtohen me shtyrjen e afatit për riregjistrim – Kurti e di se nuk do t’i vuajë pasojat, për dallim nga Serbia e cila kërcënohet me ‘rrahje’”, ka thënë Daçiqi.

Më tutje, ai ka vlerësuar se nuk ka paqe pa zgjidhje të drejtë dhe, duke iu referuar shteteve Perëndimore, shtoi se “ato, duke e vënë nën presion Serbinë po prishin stabilitetin në rajon sepse duan ta zgjidhin çështjen e Kosovës përmes Ukrainës, që ne të biem, kështu janë mësuar – dëm kolateral”.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Daçiqi ka thënë se “njerëzit shpesh harrojnë që ne edhe kur flasim për Rusinë, mendojmë për Rusinë, por mendojmë për Serbinë”.

“Kjo ka të bëjë me atë se si Serbia do të mbrojë interesat e saj kombëtare”, ka thënë Daçiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo shpesh ndan regjimet e saj rraskapitëse në palestër me…