Daja pas kualifikimit historik: Mbrëmje e madhe për futbollin shqiptar

15 gusht 2025 | 10:51

Ilir Daja, arkitekti i kualifikimit të madh të Dinamos ndaj gjigantëve të Hajdukut të Splitit, nuk e fshehu emocionin pas fitores 3-1 që çoi “Blutë” në “play-off”-in e Ligës së Konferencës. Në prononcimin për “Supersport”, tekniku kryeqytetas e cilësoi këtë një mbrëmje të paharrueshme për futbollin shqiptar dhe tregoi se cili ishte “çelësi” i suksesit.

“Të gjithë ishim të përlotur. Një mbrëmje historike për futbollin shqiptar dhe për historinë e Dinamos. Kishim përballë Hajdukun me mbi 200 ndeshje në arenën evropiane. Kemi prezantuar në mënyrën më të mirë futbollin e klubeve të Shqipërisë. Çunat e merituan, presidenti ka qenë super korrekt, e meritojmë edhe ne si staf. Edhe puna jonë është pjesë e këtij rezultati”, ka thënë Daja.

Trajneri shtoi se besimi në fushë dhe menaxhimi i lojës ishin faktorë vendimtarë: “Në të gjithë ndeshjen patëm më shumë raste se Hajduku. Sjellja e çunave më bëri të besoja. Kur e menaxhon lojën, frika nuk ekziston. Jam i lumtur që bëmë historinë. Edhe më parë e kam bërë një herë me Dinamo Zagrebin, por Hajduku është një tjetër gjigant i futbollit kroat. Të kualifikohesh ndaj tyre është një bonus i madh psikologjik”.

Daja e mbylli duke theksuar se festa është e merituar, por mendja tashmë shkon te sfida e radhës: “Të festojmë sot, se na takon. Nesër do merremi me Jagiellonian. E dimë që do të jetë po aq e vështirë sa ndaj Hajdukut. T’ia lëmë fushës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet turke i kanë arrestuar të premten kryetarin e një…