Dallku: Të dhurojmë spektakël dhe të shpallemi kampionë

18 maj 2018 | 11:18

Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, ka shprehur optimizëm se skuadra nga kryeqyteti do të shpallet kampione e Superligës për edicionin 2017/2018.

“Prishtina duhet t’i shënoj dy gola më shumë dhe të shpallet kampione. Është ndeshja e vitit si për ne dhe për kundërshtarin. Shpresoj të bëjmë spektakël dy ekipet, por ne të shpallemi kampionë. Ne kemi disavantazh prej dy golave, por kjo në futboll nuk do të thotë asnjë gjë, sepse kemi të bëjmë me lojën e futbollit dhe futbolli është i paparashikueshëm dhe gjithçka mund të ndodhë dhe gjithçka është në duart tona”, ka thënë Armend Dallku për faqen zyrtare të Prishtinës.

Pavarësisht se Dallku ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, kjo është hera e parë që në ndeshjen e fundit të vendoset titulli.

“Të them të drejtën është hera e parë edhe për mua që ndeshja e fundit vendos për titull. Është diçka speciale edhe për mua, posaçërisht për Klubin e Prishtinës dhe të gjithë sportdashësit prishtinas. Por, siç thashë, jemi duke e përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje dhe shpresoj se në fund të shpallemi kampionë”, ka deklaruar Dallku, i cili më pas i ka bërë edhe një analizë skuadrës së Dritës: “Jorastësisht Drita ka shënuar shumë gola dhe faza ofensive është pika më e fortë e kundërshtarit, mirëpo në anën tjetër ka të bëjë me një fazë tonën defansive që edhe ne e kemi pikën më të fortë ku jorastësisht kemi pranuar më së paku gola në kampionat. Kështu që, do të kemi një ballafaqim në mes të sulmit të tyre dhe mbrojtjes sonë, mirëpo ne nuk jemi keq as në fazën ofensive, sepse kemi lojtarë që dinë të shënojnë. E mira për këtë ndeshje është se të gjithë e dinë rëndësinë e ndeshjes dhe çdo lojtar do ta ketë motivin e qindpërqindtë për këtë ndeshje”.

Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fondi i Mirëbesimit i krijuar në vitin 2013 për zhvillimin…