‘Dardanët’ për fitore ndaj Sllovakisë

26 nëntor 2020 | 09:24

Përzgjedhësi Christos Marmarinos dhe kapiteni Drilon Hajrizi janë shfaqur optimist para ndeshjes që Kosova e zhvillon të enjten kundër Sllovakisë. Ata besojnë në fitore edhe në ndeshjen e 28 nëntorit kundër Islandës.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll Kosova sonte (e enjte) do të përballet me Sllovakinë në Bratislavë nga ora 19:00, në ndeshjen e vlefshëm për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2023. “Dardanët” kanë rezultuar negativë në testin për Covid, derisa të mërkurën kanë zhvilluar dy stërvitjet e fundit. Kosova pas Sllovakisë do të përballet me Islandën, sfidë që do të zhvillohet më 28 nëntor nga ora 16:00.

Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë dhe basketbollistët janë të motivuar për të dhënë maksimumin në këto dy ndeshje. Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos është optimist para përballjes me sllovakët, ani pse në ketë ndeshje “dardanët” nuk janë të kompletuar. Marmarinos beson në sukses edhe në ndeshjen kundër Islandës, e cila zhvillohet më 28 nëntor nga ora 16:00.

“Do të jenë ndeshje të vështira. Në garat ndërkombëtare nuk ka ndeshje të lehta. Nuk presim ndeshje të lehta. Sllovakia ka gjatësi më të madhe se ne, por duhet të adaptohemi dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne kemi mundur Islandën një herë dhe sigurisht se mund ta bëjmë përsëri nëse jemi të fokusuar maksimalisht. Sigurisht se ajo që mund të garantojmë është angazhimi ynë maksimal”, ka thënë Marmarinos për faqen zyrtare të FBK-së. Në linje të njëjtë me përzgjedhësin është edhe kapiteni i Kosovës, Drilon Hajrizi. “Ne do të japim maksimumin në këto dy sfida pa marrë parasysh se kush do të luaj. Nëse japim maksimumin, atëherë mund të kemi rezultate pozitive”, ka thënë Hajrizi. Kosova është lidere e grupit, pasi ka shënuar dy fitore ndaj Islandës dhe Luksemburgut.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqiptari më i rëndësishëm që ka jetuar në Londër është,…