‘Dardanët’ sot debutojnë në Botëror

16 korrik 2019 | 11:25

Kosova U21 në hendboll është e gatshme që të debutojë në Kampionatin Botëror. Ndeshja e parë e “Dardanëve” të rinj është nga ora 17:00 ndaj Kroacisë.

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në hendboll të hënën në mesditë ka arritur në Spanjë, ku do të garojë në Kampionatin Botëror të juniorëve. Delegacioni i udhëhequr nga presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Eugen Saraçini. Kosova zhvilloi stërvitjen e parë në Spanjë, ndërsa sot (martë) do ta bëjë debutimin ndaj një kundërshtareje të fortë siç është Kroacia. Me kualifikim në Botëror, U21-shat e Kosovës në hendboll tashmë kanë bërë histori, pasi është hera e parë që një përfaqësuese e Kosovës garon në botëror, ngjarjen më të madhe. Djemtë “dardanë” kanë synime edhe për Botërorin që prej të martës mbahet në Spanjë, ndonëse janë të vetëdijshëm se kundërshtarët janë shumë të fortë.

Në Botëror nuk mund të shpresohet për kundërshtarë të dobët, por Kosova është përgatitur për të bërë befasi. Në kuadër të grupit C, të martën nga ora 17:00 luhet ndeshja Kroacia – Kosova. Ndeshja luhet në Pontevedra të Spanjës, që së bashku me Vigon janë qytete nikoqire të Botërorit të 22-të të juniorëve. Kroacia e ka hendbollin shumë të zhvilluar. Kështu në Botërorin e Juniorëve, Kroacia ka synime për medalje. Gjenerata aktuale e juniorëve të Kroacisë ka suksese të shumta si: medalja e argjendtë në Kampionatin Evropian për të Rinj, vendi i katërt në Kampionatin Botëror për të Rinj dhe vendi i gjashtë në Kampionatin Evropian për Juniorë.

Trajneri i Kosovës, Fatmir Muhaxheri, është optimist për paraqitje dinjitoze në një ngjarje kaq të madhe në sportin e hendbollit. “Kemi bërë punë shumë të mirë gjatë përgatitjeve. Jemi të kënaqur me përkushtimin e lojtarëve dhe punën që është bërë me ta. Kemi qenë të angazhuar plot pesë trajnerë. Në Botëror natyrisht se na presin ndeshje të vështira. Djemtë janë të vetëdijshëm që po shkruajnë kapitull të ri në historinë e sportit të Kosovës dhe jemi të përkushtuar që ta bëjmë më të mirën e mundshme”, ka thënë Muhaxheri.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Blerim Latifi Duke ndjekur rrugët e hartës arkeologjike të…