Një ecje në lagjet arabe të Jerusalemit

16 korrik 2019 | 11:21

Nga: Blerim Latifi

Duke ndjekur rrugët e hartës arkeologjike të Jerusalemit, hyra në pjesën e banuar me arabë. Menjëherë njeriu e vëren mënyrën e jetës urbane, të dallueshme nga pjesët tjera të qytetit. Gjëja e parë që të bie në sy është varfëria e njerëzve. Kaosi urbanistik është i plotë, me shtëpitë e shëmtuara, rrugët e dëmtuara e me plot mbeturina, dhe hapësirat publike të zëna nga tregtarë ambulantë që, në kushte josanitare, shesin gjithçka, përfshirë perimet dhe bukën. Bukët e ekspozuara për shitje nëpër trotuare, buzë makinave të vjetra që lëshonin erë të rëndë nafte e benzine, më kujtuan pamjet e trishtueshme në Shqipërinë e sapo dalë prej komunizimit, kur buka shitej në kushte të njëjta.

Fotografia e Blerim Latifi

Pasi vizitova Kopshtin e Varrit, vendi ku tradita biblike thotë se ndodhet vendi ku u varros Krishti, shkova të shoh Golgotën, shkëmbin e famshëm ku e njëjta traditë thotë se është vendi ku Krishti u martirizua. Golgota sot është një stacion autobusësh, ku të zihet fryma nga era e karburanteve, e kombinuar me erën e mbeturinave që rrethojnë vendin dhe vapën përvëluese. Ai që për të krishterët është një vend i shenjtë, për muslimanët është veç një stacion autobusësh dhe vend ku mund të hedhësh bërllog, në liri të plotë. Një shembull ky që flet për hendekun e madh të moskuptimit reciprok që historia ka vendosur midis Krishterimit dhe Islamit.

Fotografia e Blerim Latifi

E lë pas atë pamje të zymtë intolerance dhe duke ndjekur murin e jashtëm të Jerusalemit të Vjetër, futem thellë në rrugët e një lagjeje të banuar me arabë. Edhe aty kaosi urbanistik dhe bërllogu janë të pranishëm gjithandej. Nga ndjesia se po shkoja shumë larg, ktheva rrugën dhe hyra në luginën që shpie te gërmadhat e qytetit mitik të Davidit. Lagjja arabe shtrihet në të dy anët e luginës. Fëmijët sapo të shohin se je dikush që ndalon në rrënojat e lashta, të afrohen për t’u bërë ciceroni yt. Natyrisht, me shpresën se për shërbimin e tyre do të shpërblehen.

Fotografia e Blerim Latifi

Dy vogëlushë mu qepën pas, duke me treguar emrat e rrënojave, por unë nuk kuptoja asgjë nga arabishtja e tyre. Ajo që kuptoja ishte se donin shpërblimin, të cilin ua dhashë: nga 5 shekel, secilit. Ata u larguan dhe unë mora rrugën përpjetë kodrës, anash rrënojave të Tempullit të Dytë të Hebrenjve, mbi rrënojat e të cilit është ndërtuar Xhamia Al Aksa. Kalova mes për mes Lagjes Hebreje dhe ndalova në Lagjen Armene, pranë Seminarit Teologjik Armen, i cili zë një vend qendror në Jerusalemin e Vjetër, mbase për arsye se Kisha Armene është ndër kishat më të vjetra në historinë e krishterimit.

Fotografia e Blerim Latifi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim…