Deklaratë e takimit të tretë rajonal të Ballkanit Perëndimor: Zbatim i katër lirive

21 dhjetor 2019 | 22:21

Në përfundimit të takimit të tretë rajonal mbajtur sot në Tiranë për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një deklaratë ku theksohet angazhimi konkret për të zbatuar katër liritë në rajon, për të çuar para qëllimin që ka secili vend në rajon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Në deklaratën përfundimtare të këtij Samiti, nënvizohet se “6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritur t’i bashkohen këtyre përpjekjeve, për shkak të frymës përfshirëse, të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me vizionin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët tanë”.

Gjithashtu, liderët kanë rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik. “Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut angazhohen: Për një marrëveshje që do të trajtojë qytetarët e secilit vend si vendasit lidhur me udhëtimin, banimin dhe punësimin në secilin vend. Ne synojmë të nënshkruajmë marrëveshjen deri në fund të Janarit 2020 dhe të plotësojmë këto procese sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet të arrihet duke harmonizuar legjislacionin vendas mbi lëvizjen e personave, lejet e punësimit dhe lejet e qëndrimit”.

“Të tre vendet kanë rënë dakord që personat që do të udhëtojnë në rajon do të lëvizin midis shteteve palë pa pasur nevojë për viza apo kufizime emigracioni. Kjo do të rrisë turizmin dhe udhëtimet për në rajon. Një marrëveshje mbi këtë qëllim do të përpilohet dhe nënshkruhet në mbledhjen e ardhshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor./ATSH

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 18 dhjetor qeveria ka vendosur heqjen e vizave për…