Deputetët dhe subjektet politike duhet të jenë të unifikuara

26 nëntor 2020 | 12:03

Shkruan: Hasan Jashari

Sot vendi ynë gjendet në një situatë të rëndë në të gjitha poret e jetës. Deputetët e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës nuk po kanë unitet dhe nuk po arrijnë të votojnë asnjë ligj, as atë për rimëkëmbjen ekonomike i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Shteti ynë ka shumë sfida përpara.

Gjendemi një situatë të rëndë edhe me pandeminë Covid-19 e cila ka kapluar botën. Në vendin tonë çdo ditë po rëndohet gjendja shëndetësore e qytetarëve me ketë pandemi dhe po rritet numri i të vdekurve.

Na pret një temë shumë e rëndësishme për përfundimin e dialogut me Serbinë. Tani Prokuroria në Hagë ka ngritur disa aktakuza ndaj udhëheqësve të luftës së UÇK-së. Gjykata e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë ka caktuar paraburgim ndaj disa prej udhëheqësve të luftës së UÇK-së. Kjo prokurori dhe gjykatë është shumë e padrejtë, e njëanshme, e cila është formuar vetëm për një etni dhe me ketë vendi ynë po sfidohet.

Janë paraburgosur themeluesit e UÇK-së, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, ish-kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kryetari i grupit parlamentar të LV-së, Rexhep Selimi, dhe udhëheqësit e shoqatave të dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së.

Dihet botërisht se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, të pastër, luftë mbrojtëse, që është impunuar nga dhuna sistematike e serbëve. I tërë populli u rreshtua në radhët e UÇK-së. Me këto arrestime të padrejta është dëmtuar imazhi i shtetit të Kosovës, ku Serbia përmes kësaj gjykate po tenton të ndryshojë rolet duke u paraqitur si viktimë, e neve na llogarisin si kryerësit e krimeve e në realitet e tërë bota e dinë se ne ishim viktima. Serbia ka bërë qindra krime, gjenocid dhe spastrim në Kosovë.

Sot kemi një numër të madh të të pagjeturve, kështu sot vendi ynë po pëson një goditje të madhe, e ketë goditje duhet ta kthejmë në forcë. Sot në Kosovë kërkohet unitet nga të gjitha subjektet politike, në mënyrë që t’i bëjmë funksionale institucionet e vendit.

Unë si qytetar i Republikës së Kosovës, si familje e dëshmorit të kombit, si ish-veteran luftëtar i UÇK-së, si pjesëtar i lagjes Jashari dhe me profesion avokat, e kam një apel për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët i kemi votuar vetë dhe sot na përfaqësojnë, për subjektet politike të vendit, që t’i lënë anash inatet, interesat personale, grupore dhe partiake, dhe të bëhen të gjithë bashkë për ndërtimin e shtetit dhe institucionet e vendit t’i bëjnë funksionale dhe të mendojnë se zgjedhjet në këtë moment nuk janë zgjidhje për vendin.

T’ju tregojmë miqve ndërkombëtarë se ne dimë ta ndërtojmë shtetin tonë, se jemi shtet dhe mundemi të funksionojmë si shtet. Pra të tregohemi të mençur, të dijshëm, të fortë dhe para se gjithash unik në këto ditë të vështira, ku historia na ka treguar se sa herë kemi qenë unik kemi dalë fitues.

Vetëm kështu e qojmë në vend obligimin ndaj gjakut të dëshmorëve të kombit, martirëve dhe invalidëve të cilët i kanë dhënë gjymtyrët e trupit për lirinë e vendit, Po ashtu, vetëm të bashkuar e respektojmë sakrificën e madhe të terë popullit shqiptar.

Sot populli i Kosovës, më të drejtë pret një unitet të plotë të subjekteve politike, të pozitës dhe opozitës, të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe minoritetet me përjashtim të Listës Serbe, që të përfundojë shtetndërtimi i Kosovës, në mënyrë që të zhvillohet vendi ynë.

*Autori është avokat nga Prekazi i Poshtëm i Komunës së Skenderajt

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, ka…