Deputetët e komisionit hetimor për energjinë e miratojnë buxhetin, ja sa do të paguhen

25 maj 2022 | 15:26

Njëmbëdhjetë deputetët, anëtarë të Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e energjisë elektrike për periudhën 2006-2022 e kanë miratuar të mërkurën buxhetin paraprak, të ndarë për këtë komision.

Sipas buxhetit të miratuar, ata përveç pagës së deputetit do të paguhen me një shtesë prej 1 760 eurosh në muaj. Kjo shumë përfshinë të gjithë deputetët anëtarë të këtij komisioni.

Deputeti i LV-së, Armend Muja, ka thënë se nuk kanë paraparë që të kompensohen ekstra për pjesëmarrjen në këtë komision.

“Kompensimet e anëtarëve të komisioneve. A është e zakonshme të kompensohen ekstra për pjesëmarrje sepse ne nuk e kemi paraparë e as s’e kemi menduar në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Muja ka propozuar që mjetet e tyre të barten të ekspertët, të cilët sipas tij kanë shumë punë.

Sipas përshkrimit të buxhetit, tre ekspertë është paraparë të angazhohen në këtë komision. Ata do të paguhen 1 mijë euro në muaj.

Ndërsa deputeti tjetër i LV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë se mund t’ia dërgojnë Kryesisë së Kuvendit një kërkesë në lidhje me këtë çështje.

Në anën tjetër, kryesuesi i këtij komisioni, Hajdar Beqa, ka thënë se kjo çështje është e rregulluar me ligj.

“Çështjet janë të rregulluara me ligj. Ne do ta shikojmë edhe njëherë. Unë në bazë të informatave që i kam që ka të drejtë deri në 800 euro në muaj të kompensohet një ekspert. Realisht ekspertët janë shumë të rëndësishëm. Kurse çështja e kompensimit, e mbledhjeve e këto janë të rregulluara dhe çdo veprim e merr Kryesia e Kuvendit, edhe përmes seancave nëse duhet. Ne nuk mund të bëjmë ndryshim të rregullores, përveç propozim për buxhet shtesë”, ka thënë ai.

Edhe deputetja Duda Balje, ka thënë se zakonisht për ekspertët buxheti është i përcaktuar.

Në fund të gjithë anëtarët e kanë  votuar buxhetin për komisionin në fjalë, me mundësinë që të rishikohet pastaj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja e Moldavisë, Natalia Gavrilita, ka mirëpritur lëvizjet për të…