Deputetët e Kuvendit të Kosovës vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

21 prill 2021 | 15:34

Deputetët e Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) zhvilluan një vizitë pune të martën në Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast u priten në takim nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe bashkëpunëtorët e tij.

Kryetarja e KMFP-së, Hykmete Bajrami, nënkryetarja Arta Bajralija, si dhe anëtarët Eman Rrahmani, Mirlinda Sadiku, Jetmire Vrenezi, Hajdar Beqa, Fadil Nura, dhe Albana Bytyqi u njoftuan në detaje nga përfaqësuesit e ZKA-së lidhur me zbatimin e Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021 dhe Planit aktual vjetor të auditimit; Procesin e Auditimit, Kontrollin e cilësisë dhe Sigurimin e cilësisë; Sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit- SITA; Zhvillimin Profesional dhe Komunikimi me palët e interesit; si dhe për bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe organizmat përkatëse për luftimin e korrupsionit.

Më tutje ligjvënësit u njoftuan edhe me nevojën e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që auditimet të përzgjidhen duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike. Këto ndryshime do të ndikonin në rritjen e numrit të auditimeve të Ndërmarrjeve Publike dhe auditimeve të performancës.

Kryetarja e KMFP-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se informata e prezantuara nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë mjaftë të vlefshme për punën e Komisionit për Financa Publike i cili merret me shqyrtimin e raporteve të auditimit. Bajrami ka deklaruar se përmes shqyrtimit të raporteve të auditimit të organizatave buxhetore në KMFP Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon rritjen e përgjegjësisë llogaridhënëse nga institucionet e audituara në mënyrë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e mangësive të raportuara.

Anëtarët e KMFP-së u interesuan që të dinë nëse ZKA-ja do të mund ta përmbush planin auditues 2020/2021 për shkak të pandemisë Covid 19 sipas dinamikës së paraparë në mënyrë që të bëhen harmonizimet e nevojshme për planin e punës së Komisionit.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kanë vlerësuar punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mënyrë që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen në vend dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti Pal Lekaj mori pjesë në Komisionin për Buxhet, Punë…