Deputetët kërkojnë zhbllokimin e rrjetit energjetik nga Serbia

15 dhjetor 14:05

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Sala Berisha- Shala, ka pritur në takim, Janez Kopaq, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me seli ne Vjenë.

Në këtë takim temë diskutimi ka qenë gjendja aktuale të përputhshmërisë me Traktatin e Komunitetit të Energjisë, nga ana e Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, njëzëri kanë kërkuar sqarime nga drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë përse nuk po i bëjnë presion Serbisë që ta zhbllokojë Kosovën për anëtarësim në Rrjetin Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike(ENTSO-E).

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, Sala Berisha -Shala, ka kërkuar informacione nga drejtues e këtij sekretariati për masat ndaj Serbisë lidhur me problemin e paraqitur në rrjetin energjetik, sepse sipas saj, projekti i linjës së interkonjeksionit 400 KW mes Kosovës dhe Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të cilin ka investuar Banka Gjermane. Sipas saj, pengesë për mosrealizimin e këtij projekti është Serbia.
“Dëshiroj që aq sa keni njohuri të na njoftoni neve si deputetë sot, se a ka ndonjë masë që është marrë në raport me Serbinë dhe a është duke u diskutuar kjo çështje në Komunitetin e Energjisë, sepse vërtet për Kosovën paraqet shumë problem. Është edhe një projekt shumë i rëndësishëm për të cilin ka investuar Banka Gjermane dhe është pengesë dhe problem që paraqet Serbia në këtë drejtim që të hynë në funksion ai projekt. Andaj, edhe Kosova më lehtë do ta kishte që t’i plotësojë kriteret që kërkohen nga Komuniteti i Energjie, pjesë e së cilës është edhe Kosova”, ka deklaruar Berisha-Shala.

Ndërsa Janez Kopaq, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, ka thënë se anëtarësimin e Kosovës në ENTSO-E është duke vazhduar ta bllokoi Serbia.
Ai ka deklaruar se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të zgjidhet ky problem. Ai gjatë një takimi me anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se Operatori i Sistemit dhe Transmisionit të Tregut në Kosovës(KOSTT) është i përgatitur dhe i gatshëm që të jetë pjesë e ENTSO-E.

“Ne kemi bërë çdo gjë që është e mundur për të ndihmuar për të filluar atë por ende nuk ka funksionuar. Ju e dini se cili është problemi, pasi që operatori i sistemit të transmisionit i Serbisë është duke e bllokuar KOST-in që të bëhet anëtar i ENTSO-E. Në fillim arsyet ishin teknike, pasi që KOSTT nuk ishte le të themi i pajisur siç duhet, por kjo arsye nuk qëndron më, pasi që ishte një ekspert i ENTSO-E i cili ka konfirmuar se KOSTT është i përgatitur dhe i gatshëm dhe tani problemi është formal. Arsyeja që ka dhënë Serbia për këtë bllokim është se autoritetet e Kosovës nuk kanë lejuar të vendosin furnizuesit elektrik në pjesën veriore të Kosovës”, deklaroi ai.

Komuniteti për Energji është një organizatë ndërkombëtare e cila bashkon Bashkimin Evropian (BE) dhe fqinjët e vet, për të krijuar një treg të integruar evropian të energjisë.

A.MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hapur panairi i produkteve vendore, sot ( e premte),…