Deputeti i AAK-së kërkon të mos hiqet taksa

27 shkurt 2020 | 12:46

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Arbër Tolaj, ka thënë se vendosja e taksës nga Ramush Haradinaj, ia ka kthyer dinjitetin institucioneve të Kosovës.

Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ky veprim ishte hapi më i rëndësishëm në dy dekadat e fundit të qeverisjes së vendit.

“Jemi dëshmitarë se vendosja e taksës, Kosovën e bëri të rëndësishme, e të fuqishme, por mbi të gjitha jo të nënshtruar para Serbisë. Ky veprim me impakt politiko-ekonomik i Kryeministrit Haradinaj, ishte hapi më i rëndësishëm në dy dekadat e fundit të qeverisjes së vendit”, ka shkruar Tolaj.

Postimi i plotë i Tolajt:

Mos luani me ‘taksën’, vendimin e guximshëm, që na riktheu dinjitetin, vetëbesimin, dhe besimin në institucionet tona.

Jemi dëshmitarë se vendosja e Taksës, Kosovën e bëri të rëndësishme, e të fuqishme, por mbi të gjitha jo të nënshtruar para Serbisë.

Ky veprim me impakt politiko-ekonomik i ish-kryeministrit Haradinaj, ishte hapi më i rëndësishëm në dy dekadat e fundit të qeverisjes së vendit.

Me këtë politikë tregtare i treguam Serbisë, por edhe botës se rregullat në vendin tonë i diktojmë ne, përmes Institucioneve tona shtetërore.

Por me sa duket e gjithë kjo peshë dhe rëndësi që ka kjo taksë për shtetin tonë, nuk po i bën përshtypje Qeverisë Kurti.

Me të marr pushtetin, Kurti harroj kauzat atdhetare, duke ngulmuar në heqjen e taksës, për ta zëvendësuar me njëfarë reciprociteti.

Po cili është ai reciprocitet i shumëpërfolur, i pa shtjelluar dhe i pa sqaruar para qytetarëve.

A është bërë analizë e duhur për pasojat e heqjes së taksës dhe çfarë efektesh mund të kenë masat e reciprocitetit në raport me Serbinë, kur kemi parasysh luftën e egër që qeveria e Serbisë aplikon për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës gjithandej botës?

A është kjo transparenca të cilën Kurti e kishte proklamuar kaq gjatë?

Si ka mundësi që për çështje kaq të rëndësishme ai të jetë misterioz, konfidentë dhe i pa sinqertë, duke krijuar situatë konfuze para qytetarëve të Kosovës?

Vërtetë këtë nuk e meriton qytetari i Kosovës. Largimi i taksës nuk guxon të ndodh pa e njohur Serbia shtetin e Kosovës. Sepse Taksa nuk është vendosur krejt rastësisht.

Ajo ndaloj ndarjen dhe korrigjimin e kufijve, sikundër që sinjalizoj Bashkësinë ndërkombëtare se tashmë i ka tejkaluar kufijtë me zvarritjen e procesit për liberalizim të vizave.

Ajo është kundërpërgjigje e drejtpërdrejt kundrejt bllokadave të vazhdueshme politiko-ekonomike që Serbia po i bënë Kosovës, pavarësisht dakordancës para faktorit ndërkombëtar që mos ta pengojë shtetin tonë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtare.

Taksa është përgjigje ndaj trysnisë së Serbisë kundër Kosovës dhe përderisa Serbia nuk ndalon ajo duhet të mbetet në fuqi, deri në njohje.

Si rrjedhojë çdo përpjekje për shfuqizimin e këtij vendimi dhe çfarëdo zëvendësimi i këtij vendimi, paraqet dorëzim institucional karshi faktorëve tjerë. Largimi i taksës, pa asnjë kushtëzim, do të na rikthej prapa.

Ndaj përfundimisht i themi ‘Jo’ heqjes së taksës dhe zëvendësimit me reciprocitet deri sa Serbia të jetë e gatshme ta njoh shtetin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
John Fury, babai i boksierit britanik Tyson Fury, u shpreh…